Ina Rama emëron shefen e kabinetit
Ish-kancelarja e Gjykatës së Apelit, Miranda Bushi, emërohet drejtoreshë e Prokurorisë
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, Ina Rama, bën emërimin e parë në kabinetin e saj, pas dorëheqjes së Sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Koçollari. Ajo ka firmosur dje emërimin e Miranda Bushit, si shefe të Kabinetit të saj, duke e forcuar prezencën femërore në krye të organit qendror të akuzës. Shefja e re e kabinetit të Ramës ka qenë prokurore kohë më parë, por së fundmi ka kryer detyrën ekancelares nëGjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Burimet zyrtare pranë institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme konfirmojë lajmin, duke u shprehur se drejtoresha e kabinetit, Bushi, pritet të fillojë detyrën e re në fund të këtij muaji, kohë gjatë së cilës do të vazhdojë të kryejë funksionin e mëparshëm. Ish-kancelarja ka gjasa t'i nënshtrohet edhe procedurave të konkurrimit për detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, i cili ka mbetur vakant që pas dorëheqjes së Koçollarit. Ndërkohë, burimet pranë Gjykatës së Apelit konfirmojnë se ish-kancelarja Bushi që nga formimi i kësaj gjykate në vitin 2004, ka drejtuar zyrën e kancelares pranë këtij institucioni. "Në fillim të muajit të ardhshëm, pranë Prokurorisë së Përgjithshme do të fillojë punën edhe këshilltari i ri për mediat, vend ky i mbetur vakant pas dorëheqjes së Agim Nezës",-bëjnë me dije burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme.