Italia sjell provat kundër Lul Berishës
Mbërrijnë në prokurori 9 mijë faqe me përgjime dhe prova për implikimin e bandave të Durrësit në trafik
Në dosje, një numër i madh provash e përgjimesh, lista e të akuzuarve dhe të dhëna për trafikun
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në dorëzim një volum të madh fashikujsh të dosjes hetimore, të përpiluar nga antimafia italiane kundër Lulzim Berishës dhe bandës së tij. Burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë me dije për "Shekullin" se kjo dosje ka ardhur në rreth 9 mijë faqe format A 4. "Pas dërgimit të letër-porosisë tek autoritetet e drejtësisë italiane, antimafia e qyteteve të Barit dhe Milanos kanë dërguar të gjithë dosjen hetimore ndaj bandës së Durrësit, që drejtohej nga Lulëzim Berisha e Klodian Salihu si dhe të Marsel Sotirit e njerëzve të tij për implikimin e tyre në trafik droge. Në brendësi të dosjes voluminoze gjenden një numër i madh CD-ish me përgjime dhe prova të tjera materiale, duke i akuzuar anëtarët e këtyre bandave për "trafikim të lëndëve narkotike" dhe "trafikim të armëve dhe municioneve luftarake".
***
"Në këto dosje ndodhen emrat dhe pseudonimet e një numri jo të vogël personash nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që në atë kohë ishin vënë në përgjim nga autoritete italiane",-bëjnë me dije burime nga organi i akuzës.Mësohet gjithashtu se në këtë dosje ndodhen edhe emra të personave të dënuar në Itali për trafik droge dhe të atyre që janë në kërkim nga autoritete italiane, pa përjashtuar këtu edhe emra të personave që janë vrarë gjatë rivalitetit të tyre për trafik droge. "Brenda fashikujve të dosjes ndodhen një numër i madh përgjimesh dhe provash, që faktojnë trafikun e organizuar nga pjesëtarë të "bandës" së Lul Berishës e Marsel Sotirit, që për shkak të këtij trafiku filluan edhe vrasjet mes tyre",-thuhet nga burimet pranë organit qendror të akuzës. Gjithashtu, konfirmohet se në këto përgjime dalin qartë bisedat e kryera mes anëtarëve të bandave dhe drejtuesve të tyre, ku jepen urdhra dhe udhëzime nga këta të fundit për kryerjen e trafikut të drogës e armëve në drejtim të Italisë. Me ardhjen e kësaj dosjeje, mësohet se prokuroria e Krimeve të Rënda do të fillojë hetimet e pushuara për ca kohë ndaj anëtarëve të këtyre bandave, për veprat penale të "trafikut të lëndëve narkotike" dhe "trafikut të armëve luftarake" në kuadër të organizatave kriminale.
***
Për llogari të hetimit për akuzat e "trafikun e drogës dhe armëve", grupi hetimor i prokurorisë së Krimeve të Rënda ka marrë edhe dëshminë e të penduarit të bandës, Adriatik Coli, duke mos përjashtuar këtu edhe persona të tjerë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë. "Në dosjen e hetimit për trafik droge dhe armësh, janë administruar deri më tani procesverbalet e deklarimit të shtetasit Adriatik Coli dhe disa personave të tjerë, bashkë me disa shkresa zyrtare të policisë shqiptare dhe asaj homologe italiane, të njoftimit të arrestimit të dy transportuesve të drogës, Jurid Xhunga dhe Julian Meçe, të arrestuar dhe më pas të dënuar në Itali",-pohojnë burimet e mësipërme. Ndërkohë, grupi hetimor ka ngritur dyshime edhe për raste tjera të transportimit të drogës dhe armëve nga Shqipëria në drejtim të Italisë, me anë të mjeteve lundruese si gomone dhe tragete nga porti i Durrësit. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, mendohet se rrjeti i trafikut të drogës dhe armëve është ngritur në vitin 1995 dhe funksiononte deri në kohën e arrestimit të drejtuesve të dy bandave rivale, Dokle e Berisha, në vitin 2005.