Denoncimi i kunatit e lë 13 muaj në qeli, merr pafajësinë
Krimet e Rënda shpallin të pafajshëm Haxhi Elezin. Vajza ndodhet nuse në shtëpinë e tij
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda shpall të pafajshëm pas 13 muajve qëndrimi në qeli të pandehurin Haxhi Elezi, për akuzën e "trafikimit të femrave me qëllim prostitucioni". Sipas vendimit të togave të zeza, i riu nga Peqini deklarohet i pafajshëm për akuzën e ngritur nga prokuroria, ndërsa u urdhërua lirimi i menjëhershëm i tij. "Pas hetimit gjyqësor u faktua se shtetasi Haxhi Elezi nuk e ka trafikuar vajzën me iniciale S.A. dhe nuk ka pasur një qëllim të tillë, pasi vajza ndodhet ende në shtëpinë e tij, si nuse e shtëpisë",- thuhet në vendimin e gjykatës. Ndërkohë, prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve, kërkoi nga gjykata deklarimin fajtor të të pandehurit Haxhi Elezi dhe dënimin e tij me 15 vjet burg për akuzën e "trafikut të femrave me qëllim prostitucionin". Sipas mbrojtësit ligjor, i pandehuri është i pafajshëm, pasi ka shprehur dëshirën për martesë me vajzën, por ka qenë i vëllai i vajzës që e ka denoncuar për trafik të pandehurin, pasi nuk ishte dakord për lidhjen e tyre. Sipas akuzës, në verën e vitit 2006, nëpërmjet gazetave që ofrojnë njohje të reja, Elezi ishte lidhur me 19-vjeçaren nga fshatrat e Fushë-Krujës. Vetë i pandehuri ndodhej në Greqi, nga ku i shkruante në gazetë vajzës, dhe pasi shkëmbyen numrat e telefonit, lidheshin në celular duke biseduar për të ardhmen e tyre. Në nëntor të vitit 2006, i pandehuri vjen nga Greqia për qëllime serioze, duke e marrë vajzën për të jetuar së bashku. Ka qenë denoncimi i vëllait të vajzës që e izoloi atë 13 muaj në qeli.