Fabrika e Çimentos, debat Berisha-Pango
KRRTRSH shkel vendimin e Këshillit të Ministrave. Jep leje ndërtimi për një fabrikë në një zonë turistike
TIRANË- Biznesi fitimprurës i prodhimit të çimentos në vendin tonë po bën që qeveria shqiptare të harrojë jo vetëm mjedisin që dëmtohet nga tymrat dhe gazrat që lëshohen nga prodhimi i këtij produkti, por edhe të shkelë ligjet në fuqi të cilat vetë i ka miratuar. Pas skandalit që u evidentua vetëm një muaj më parë në ndërtimin e një fabrike çimentoje në rrethin e Krujës, ku mazhoranca qeverisëse sakrifikoi disa hektarë pyje me pisha, dje ajo ka prodhuar "skandalin" e radhës. Bëhet fjalë për vendimin e djeshëm të KRRTRSH-së për miratimin e studimit për dhënie leje ndërtimi për fabrikën e çimentos në Balldren, Lezhë (pjesë e zonës së Torovicës). Megjithëse kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar ndërtimin e kësaj fabrike si një sukses të qeverisë në fushën e thithjes së investimeve private, projekti është parashikuar në një zonë turistike, ku në bazë të ligjit "Për turizmin" nuk lejohen ndërtimet e kësaj natyre. Pavarësisht vlerës turistike që mund të ketë zona në fjalë, vendimi i djeshëm përbën një shkelje ligjore për arsye se KRRTRSH-ja nuk ka marrë parasysh vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 1993 për hartën e zonës turistike. Shkelja është evidentuar nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Ylli Pango, i cili përpara se KRRTRSH-ja të marrë vendimin për miratimin e saj ka kërkuar zhvendosjen e kësaj fabrike në një zonë jashtë hartës së përcaktuar si zonë turistike. Për këtë atij i është dashur të debatojë gjatë mbledhjes së djeshme me kryeministrin Sali Berisha edhe me anëtarë të tjerë të këtij institucioni. Pango i ka deklaruar kreut të qeverisë se projekti nuk ka marrë parasysh vërejtjet që ka paraqitur Ministria e Turizmit, pasi sipas tij fabrika ngrihet mbi një tokë që përfshihet në zonën turistike. "Ndërtimi i kësaj fabrike prek zonën turistike të Torovicës. Dhe ne kemi bërë rekomandimet tona të cilat nuk janë reflektuar. Kështu që unë them se është shumë e rëndësishme dhe që duhet marrë parasysh. Nëse do të ketë mundësi qoftë edhe për zhvendosje ne do të ishim dakord", - u shpreh Pango. Por pretendimi i Pangos ka ndeshur në ironinë e kryeministrit Berisha, i cili ka theksuar se zona e Torovicës nuk mund të prodhojë vetëm domate. Megjithatë, pavarësisht debateve që vazhduan dhe me anëtarë të tjerë të qeverisë, KRRTRSH-ja miratoi dje dy studimet urbanistike pjesore për shesh dhe leje ndërtimi për fabrikën e çimentos në Balldren, Lezhë, nga kompania "Fassa & Berberi sh.a" dhe të fabrikës në Borizanë, Krujë, nga kompania "Antea Cement", pjesë e grupit TITAN, investime që kapin vlerën e 400 milionë eurove.
Fejzi Braushi
Debati në mbledhjen e KRRTRSH-së
Ylli Pango: - Ndërtimi i kësaj fabrike prek zonën turistike të Torrovicës. Dhe ne kemi bërë rekomandimet tona të cilat nuk janë reflektuar në atë që tha z.Biçoku, kështu që unë them se është shumë e rëndësishme dhe që duhet marrë parasysh. Nëse do të ketë mundësi qoftë edhe për zhvendosje ne do të ishim dakord..
Sali Berisha: - Për cilën pjesë bëhet fjalë?
Pango: - Bëhet fjalë për një pjesë të cilën ne e kemi pasqyruar edhe në skicën që kemi paraqitur.
Berisha: -Që unë jam dakord Ylli që të mbrohet kjo dihet. Por çfarë karakteri turistik ka kjo zonë, a mund ta marrim vesh dhe ne të tjerët?
Pango: - Ajo është cilësuar me vendim të qeverisë si zonë për zhvillimin e turizmit dhe përfshin gjithë zonën ku parashikohet të ngrihet fabrika në Torovicë.
Berisha: - Zonë e zhvillimit të turizmit? Mund të jetë zonë e zhvillimit të domateve, por e zhvillimit të turizmit jo një herë.
Pango: - Është përcaktuar zonë e zhvillimit të turizmit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Berisha: - Urdhro?
Pango: - Është përcaktuar zonë turistike me vendim të Këshillit të Ministrave.
Berisha: - O po leri këto. Shiko, Torovica, momentalisht mund ta shqyrtojmë, por Torovica nuk mund të jetë zonë turizmi. Mund të thotë Jemini se është zonë bujqësore, por zonë turizmi nuk mund të jetë.
Ata qeveritarë që e kanë përcaktuar si zonë turistike atë zonë le të shkojnë të bëjnë turizëm në Torovicë.
Jemin Gjana: - Janë vendime të qeverisë të vitit 1993. Por ajo që ne kemi diskutuar edhe një herë tjetër këtu është për tu vlerësuar se harta që ka përcaktuar zonën turistike ka dalë me një vendim të Këshilit të Ministrave të vitit 1993. Konceptet për turizmin kanë evoluar dhe ai vendim kërkon ndryshim. Torovica zonë turistike? Torovica është së paku disa metra nën nivelin e detit, ajo duhet të dali nga përmbytja një herë dhe pastaj të vlerësohet në është tokë bujqësore apo tokë turistike.
Pango: - Unë kam këtë projekt që bazohet në këtë vendim të qeverisë.
Berisha: - Dakord, po vendimi është shumë i vjetër dhe ky nxjerr domosdoshmërinë për tu riparë përsëri.