Certifikatë cilësie për 3 kompani
Instituti Italian për Tregtinë e Jashtme (ICE), në bashkëpunim me Shoqatën e Bujqësisë Organike, u dorëzoi tre kompanive shqiptare “Shkalla”, “En&ZY” dhe “Sejega”, të njohura në prodhimin e vajit të ullirit dhe perime të konservuara, certifikatat ISO për prodhimet bujqësore, gjatë një ceremonie të organizuar mbrëmë në hotel “Rogner”, në Tiranë. Në ceremoninë e certifikimit “Për standardet ISO të prodhimeve bujqësore”, Drejtori i ICE-s në Tiranë, Francesco Vitulli, përshëndeti përfaqësuesit e kompanive shqiptare për punën dhe rezultatet e arritura në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të prodhimit. “Të gjitha mallrat dhe shërbimet që u ofrohen konsumatorëve, duhet të jenë të sigurta. Aspektet që lidhen me cilësinë dhe garancinë e mallrave dhe shërbimeve, janë themelore për konsumatorin”, u shpreh Vitulli.