Në kopsht, 220 fëmijë mbeten dhjetë ditë pa vaktet e ushqimeve
Prindër që detyrohen të mos i çojnë fare në kopsht fëmijët e tyre, ose t’u japin bukë me vete. Por jo vetëm kaq, gatimi me sobën e gazit gati dhjetëvjeçare u kërcënon jetën. Jo vetëm të vegjëlve, por edhe punonjësve. Kanë bërë kërkesë në drejtori arsimore për të siguruar një të re. Ky institucion nuk ka asgjë në dorë, ndërsa përgjigjja e Bashkisë që menaxhon fondet ka qenë fare e thjeshtë: “Prisni sa të bëhet tenderi”. Nuk bëhet fjalë për ndonjë nga institucionet shtetërore parashkollore pak të frekuentuara, por për një nga kopshtet publike më të mëdha në Tiranë. Më shumë se 220 fëmijëve të kopshtit numër 3, pranë “Harry Fulz”-it, që prej dhjetë ditësh nuk u sigurohen vaktet e zakonshme ushqimore. Shkak për këtë situatë është bërë prishja e sobës së gatimit. Për një të re as nuk bëhet fjalë, ndërkohë që ajo e vjetra është tërësisht e amortizuar. I rikonstruktuar dhjetë vjet më parë, në ambientet e kopshtit nr. 3 nuk është vënë më dorë. Të vetmet fonde që administrohen nga drejtuesit e tij janë ato që prindërit japin çdo vit për të paguar rojet. Pjesa tjetër menaxhohet nga Bashkia. Prindërit e indinjuar ankohen për gjendjen e krijuar, duke e cilësuar si të papërshtatshme. “Ky është kopsht me drekë dhe ne burrë e grua jemi të dy në punë. Prandaj e kemi regjistruar këto djalin, në mënyrë që pasi të mbarojmë orarin zyrtar të vijmë ta marrim. Po që prej dhjetë ditësh më duhet t’i jap mëngjesin me vete dhe të lë punën për ta marrë gjatë drekës. Jemi ankuar te drejtoresha e kopshtit dhe na kanë thënë se soba e gatimit po riparohet. Por u bënë dhjetë ditë dhe nuk është bërë asgjë”, shprehet një nga nënat që ka fëmijën aty. Ndërkaq, disa prej edukatoreve të cilat nuk donin të bënin publikë emrat e tyre, na sqaruan se soba e gazit kushton 1700 euro dhe nga sa kanë mësuar Bashkia nuk ka ndërmend të japë fondet për ta blerë. “Kjo e vjetra është gati e prishur. Ka ardhur tekniku për të riparuar tubat e gazit. Por guzhinjereve u duhet të punojnë me frikë. Një defekt, një gjë, edhe është jeta e të gjithëve në rrezik. Që duhet ndërruar është e sigurt. Por këtë nuk e kemi në dorë ne”, thotë nën zë një nga edukatoret, duke t’u lutur të mos i përmendësh emrin. Ndërsa flitet për rritje të standardeve në institucionet publike parashkollore, shumë prej kopshteve në kryeqytet vuajnë mungesën e kushteve më minimale. Në kopshtin nr.3 problem mbeten edhe shtretërit. Ndërsa këta mund t’i sjellin njëherë e mirë edhe nga shtëpitë, do t’u duhet të presin edhe disa ditë sa të sigurojnë në kopsht vaktet ushqimore të fëmijëve të tyre, për të cilat paguajnë.