Meta: Grevë urie për mbrojtjen e votës së lirë
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e përjashtoi futjen në grevë urie nëse dy partitë e mëdha nuk tërhiqen nga modeli i Kodit të ri Zgjedhor me bekimin e tyre. “Duam që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarëve t’u miratohen votat e tyre dhe jo votat e çiftit Berisha-Rama”, u shpreh Meta. Dy ditë më parë deputetë dhe kryetarë partish paralajmëruan grevë urie në emër të mbrojtjes së Kushtetutës dhe votës së lirë. Përmes një letre drejtuar Presidentit Topi, Ilir Meta, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, Petro Koçi, Dritan Prifti, Luan Memushi, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Spartak Braho dhe Dashamir Shehi, i kërkuan atij të ndërhyjë me gjithë fuqinë që i jep Kushtetuta, ta ndalojë një gjë të tillë. “Ne deputetë dhe kryetarë të disa partive politike kemi vendosur, që në mbrojtje të Kushtetutës dhe të votës së lirë, të shpallim në vijim një grevë urie për të sensibilizuar opinionin publik shqiptar për grushtin e shtetit që po përgatitet, për të shpëtuar demokracinë e rrezikuar në Shqipëri”, thuhet në letrën e tyre. Ata i kërkojnë Presidentit Topi të ndalojë Kodin e ri, i cili për partitë e tjera është manipulim i rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. “Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për ndalimin e kësaj masakre anti-demokratike dhe garantuar gjithëpërfshirje në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Gjendja sociale dhe ekonomike që ka sot Shqipëria, e shoqëruar dhe nga një krizë e detyrueshme politike, mund të sjellë përshkallëzime negative për imazhin dhe stabilitetin real të vendit”, shprehen deputetët.