E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në rrezik, LRI proteston në sheshin “Demokracia”

 

Qindra studentë të organizuar nga LRI protestuan dje pasdite   për të mbrojtur votën e lirë në sheshin “Demokracia” në “Qytetin Studenti”. Protesta kishte dhe simbolikën e saj, pasi në atë shesh mori udhë 18 vjet më parë pluralizmi në Shqipëri. Më shumë se 400 të rinj dhe të reja kërkuan njëzëri mbrojtjen e votës së lirë si dhe kundërshtuan pazarin e pistë të bërë ndërmjet dy partive të vjetra, PS-PD, për dhunimin e procesit të votimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentar të 2009-ës. Duke mbështetur një proces demokratik që i shërben funksionimit të demokracisë në vend, të rinjtë u shprehën njëzëri që nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë vjedhjen e votës së shqiptarëve në vitin 2009, manipulimin dhe masakrimin e këtyre zgjedhjeve, nga formula që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë hartuar së bashku për Kodin e ri Zgjedhor. Duke folur para turmës së studentëve, kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, u shpreh se sot, si 18 vjet më parë, kur të rinjtë thërrisnin një zëri “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, sot Shqipëria jonë është më e rrezikuar se kurrë. Demokracia, u shpreh ajo, është në rrezik nga një diktaturë që ka dy koka, Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët duan të na vjedhin pronën tonë të patjetërsueshme, votën tonë dhe me atë shpresat dhe ëndrrat tona për një Shqipëri evropiane”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›