E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ujësjellësit të përdoren edhe për energji elektrike”

 

Fabiola Çela

Privatizimi i ujësje-llësve do të ndikonte jo vetëm në rritjen e investimeve, por do të sillte dhe një menaxhim më eficient të burimeve ujore në vend. Kështu është shprehur dje kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë konferencës kombëtare të shoqatës së ujit. Por përveç furnizimit me ujë të pijshëm, ujësjellësit mund të shfrytëzohen edhe për energji elektrike. Sipas Rulit, aktualisht në ministri janë dorëzuar disa projekt-ide për shfrytëzimin e potencialit hidrik të ujësjellësve, në të njëjtën kohë për ujë të pijshëm dhe për shfrytëzimin e energjisë elektrike.
Privatizimi
“Shërbime të tilla si impiantet e trajtimit të ujit të pijshëm dhe të ujërave të ndotura të kanalizimeve mund të kontraktohen fare mirë me investitorë privatë, të cilët hyjnë në marrëdhënie koncesionare duke ofruar mundësitë financiare për investimet e nevojshme, eksperiencën në miradministrimin e këtyre shërbimeve, përkundrejt një tarife që i shpërndahet konsumatorëve si përfitues të këtij shërbimi”, është shprehur dje ministri Ruli. Por nga ana tjetër lidhja e këtyre kontratave koncesionare kërkon një njohje të mirë të legjislacionit në fuqi. Për këtë pikë Ruli u ka premtuar kryetarëve të njësive qendrore se do të kenë të gjithë mbështetjen e ministrisë që ai drejton. Privatizimi i ujësjellësve do të ndikonte në përmirësimin e furnizimit me ujë në vend. Aktualisht, pjesa më e madhe e ujësjellësve dhe ndërmarrjeve të kanalizimeve vazhdojnë të subvencionohen nga shteti, çka pengon edhe përmirësimin e cilësisë së këtij shërbimi për konsumatorët.
Projektet
Në kuadrin e “ofertave të pakërkuara”, rreth 160 projekt-propozime janë paraqitur pranë METE-s për marrje me koncesion të akseve të ndryshme hidrike. Shifra është bërë publike nga vetë ministri Ruli. Sipas tij, deri më tani janë miratuar 30 kontrata koncesioni, projekte të cilat do të ofrojnë një fuqi të instaluar prej 130 MW, një prodhim mesatar të energjisë elektrike prej 731 663 MWh, përkundrejt një investimi prej 19 miliardë lekësh. “Projekte akoma më të mëdha në lumenjtë Drin, Devoll dhe Vjosë do të nisin shumë shpejt rrugën e realizimit. Në METE kanë ardhur edhe projekt-ide për shfrytëzimin e potencialit hidrik të ujësjellësve, në të njëjtën kohë për ujë të pijshëm dhe për shfrytëzimin e energjisë elektrike”, ka thënë ministri Ruli. Një investim i tillë do të ofronte jo vetëm rritjen e cilësisë së shërbimit, përmes një investimi të ri, por edhe kosto më të ulët, me një shfrytëzim dyqëllimesh të burimit ujor nga investitorët privatë. “Të tilla projekte janë ende ide, por nëse një ditë të propozohen konkretisht, do të duhet të bashkërendojmë punën midis institucioneve tona për t’i mundësuar komuniteteve tona më shumë ujë dhe drita, më shumë punë dhe mirëqenie”, tha ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›