E Diel, 1 Nëntor 2026

Certifikimi i anglishtes, UT në garë me privatët

Universiteti i Tiranës brenda javës që vjen pritet të marrë një përgjigje nëse do të përfitojë një certifikim të gjuhës angleze nga kompanitë e njohura ndërkombëtare. Tashmë gara për certifikimin e anglishtes ka nisur, madje nga përfaqësuesit e arsimit të lartë ajo është cilësuar dhe si agresive, pasi shumë universiteteve u nevojitet certifikimi i gjuhës angleze, një kusht ky për të mbaruar studimet master. “Kjo është një garë e cila ka krijuar një lloj interesi nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Kuptohet që për vetë fizionominë që kanë universitetet private, agresiviteti i tyre shpesh herë është dhe pak më i madh nga ai i universiteteve publike. Këto janë certifikime të cilat çdo institucioni do i interesonte nga pikëpamja e prestigjit institucional e mbi të gjitha shërbimit cilësor dhe me kosto me të ulët”, - pohon drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në UT, Ervin Demo. Por, megjithë konkurrencën e pranishme në tregun e arsimit të lartë për certifikimin e anglishtes, që do t’i jepte një zgjidhje të mirë edhe problemit të studentëve që kanë vijuar studimet e ciklit të dytë, dhe u nevojitet mbrojtja e kësaj gjuhe nga një organizëm ndërkombëtar, përfaqësuesit e Universitetit të Tiranës shprehen optimistë, madje thonë së janë dhe në avantazh nga universitetet private, për nga plotësimi i kushteve. “Institucionet ndërkombëtare të cilat lëshojnë certifikata të gjuhës angleze janë të interesuara të kenë një partnerë të besueshëm, të qëndrueshëm dhe pse jo dhe me një histori. Unë besoj që UT këto kushte i plotëson më së miri dhe kjo na jep një avantazh konkurrues në krahasim me institucionet private”, - shprehet Demo. Në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, të gjithë studentët që kanë filluar studimet master, që nga shatori i vitit të kaluar, duhet të mbrojnë edhe gjuhën angleze, nga një organizëm ndërkombëtar, në të kundërt atyre nuk u njihet cikli i studimit si i përfunduar. Kundër kësaj ideje ka dalë edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, i cili sqaron se kjo mënyrë u kushton studentëve shqiptarë 500 euro, ndërkohë që ata mund ta mbrojnë fare mirë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke paguar një tarifë vetëm për certifikatën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›