Punësimi sezonal në Itali, nisin më 22 mars kërkesat
Nis më në fund edhe gara për punësimin e 60 mijë punonjësve sezonalë, për t’u punësuar kryesisht në sektorët e turizmit dhe bujqësisë në Itali. Dekreti që autorizon ardhjet e tyre do të shpallet në Gazetën Zyrtare të hënën, më 21 mars, kështu që do të hyjë në fuqi të nesërmen, më 22 mars, që do të jetë edhe dita e parë e vlefshme për paraqitjen e kërkesave, për të sjellë në Itali punonjësit e huaj. Dërgesat do të mund të bëhen nga ora 8.00 e ditës pasuese të botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare deri më 31 dhjetor 2011.
Në të vërtetë për flukset e sezonaleve nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme të nxitohesh, pasi hyrjet e autorizuara nga qeveria italiane janë zakonisht të mjaftueshme për të kënaqur të gjitha kërkesat e paraqitura. Por, gjithsesi, ndërmarrjet bujqësore, hotelet dhe restorantet duhet të mbajnë mirë parasysh që, edhe në rastin më të mirë, do të kalojë të paktën një muaj nga paraqitja e kërkesës deri në çastin kur punonjësi do të vijë në Itali, ndaj për të mirën e punës së tyre u leverdis të nxitojnë. Përsa i përket procedurës së aplikimit, kërkesat do të paraqiten on-line përmes faqes së internetit të Ministrisë së Brendshme italiane, dhe që tani është e mundur të përpilohen dhe të ruhen formularët. Kush nuk është i zoti me kompjuterin, mund t’u drejtohet konsulentëve të punës apo shoqatave të kategorisë. Si çdo vit, teksti parashikon edhe vendet prej nga duhet të jenë punonjësit sezonalë që mund të vijnë si: Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Bosnja-Hercegovina, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Indi, Pakistan, Bangladesh, Sri Lankë, Ukrainë, Tunizi, Marok, Moldavi, Egjipt, Nigeri, Niger, Gambia, Gana, Filipine. Por një risi e rëndësishme që i dallon flukset sezonale të këtij viti nga të mëparshmit qëndron në faktin se për punonjësit sezonalë nga këto vende që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit do të mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, këta punonjës sezonalë do të mund të shkojnë në Itali duke mos kaluar më mes flukseve.
Dekreti do të shpallet në Gazetën Zyrtare të hënën, më 21 mars, dhe do të hyjë në fuqi të nesërmen, më 22 mars, që do të jetë edhe dita e parë e vlefshme për paraqitjen e kërkesave, për të sjellë në Itali punonjësit e huaj. Dërgesat do të mund të bëhen nga ora 8.00 e ditës pasuese të botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare deri më 31 dhjetor 2011.