Nis verifikimi i dokumenteve, ja procedura
Nis verifikimi i dokumenteve për të përcaktuar përfituesit që do të çlirohen nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë që nga viti 1992-2006. Menjëherë pas nxjerrjes së vendimit të qeverisë për t’u falur faturat e borxheve të prapambetura të dritave, shtresave në nevojë dhe pensionistëve që trajtohen me pension minimal, dy institucionet përgjegjëse që do të bëjnë edhe verifikimin e emrave përfitues, Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë nisur tashmë nga puna për këtë proces. Kështu, lista e përfituesve për shtresat në nevojë, ku përfshihen familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, të papunët, invalidët, gratë kryefamiljare dhe personat me statusin e jetimit, do të hartohet nga Shërbimi Social Shtetëror, ndërsa ajo për pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, si për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive, do të përpilohet nga ISSH. Burime zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror bëjnë të ditur se tashmë ka nisur puna për verifikimin e përfituesve për kategoritë në nevojë që trajtohen nga ky institucion, por problemi qëndron në faktin se jo të gjitha dokumentet janë të dokumentuara. “Po kërkohen dokumentet në njësitë e qeverisjes vendore, bashki dhe komuna për personat përfitues. Problemi është se jo të gjitha janë të dokumentuara dhe sidomos kur bëhet fjalë për komuna në zona të thella të vendit”, - pohojnë specialistët pranë Shërbimit Social. Ndërkaq, të njëjtat burime shpjegojnë se lista e përfituesve që do të hartohet nga ky institucion parashikohet të përfshijë rreth 100 mijë përfitues. “Janë diku te 100 mijë përfitues nga shtresat në nevojë, invalidë dhe me ndihmë ekonomike. Por në hartimin e listës së përfituesve do të merret parasysh edhe numri i personave që kanë marrë ndihmë ekonomike deri në vitin 2006, që kanë qenë rreth 110 mijë të tillë, ndërsa sot në këtë skemë janë 97 mijë”, - shpjegojnë më tej specialistët e Shërbimit Social. Sipas tyre, megjithëse numri i përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike është ulur nga viti 2006 deri më tani, në kah të kundërt ka ecur ai i invalidëve. Në këto kushte, reduktimi i numrit të personave që kanë marrë ndihmë ekonomike do të plotësohet nga shtimi i përfituesve të invaliditetit, pra me gjithë këto ndryshime lista e Shërbimit Social do të ketë në total rreth 100 mijë përfitues, ndërsa pjesa tjetër e tyre do të jetë me kategoritë që trajtohen me pensione minimale. Këta përfitues do të nxirren nga ISSH, institucion që do të bëjë edhe verifikimin e dokumenteve që disponon për secilin prej tyre. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave qeveria vendosi të çlirojë nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë të gjithë shtresat në nevojë, duke filluar që me borxhet më të hershme në vitin 1992 e deri faturat që mbajnë datën 31 dhjetor 2006. Fatura e borxheve të prapambetura, afër 14-vjeçare arrin në 38 miliardë lekë ose 380 milionë dollarë. Vendimi përfshin periudhën që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, e deri në ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ.