Cërvenkovski: “Njohja e Kosovës në pajtim më BE-në dhe NATO-n”
“Njohja e Kosovës do të bazohet në interesat personale shtetërore të Maqedonisë, dhe në pajtim me qëndrimin e shumicës së shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s”. Kështu është shprehur presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski duke theksuar se edhe pse janë bërë përparime në rajon, ekzistojnë rreziqe për shkak të situatës në Kosovë. Lidhur me procesin e integrimeve euroatlantike, Cërvenkovski tha se, për rajonin nuk ekziston alternativë tjetër reale, kjo është zgjedhja më e mirë dhe e vetme.
Arrestohet lideri politik i lëvizjes separatiste baske “ETA”
Lideri politik i dyshimtë i lëvizjes separatiste baske, “ETA”, është arrestuar në një operacion të përbashkët francezo-spanjoll. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet spanjolle. Havier Lopez Pena është arrestuar me tre të dyshimtë të tjerë të lëvizjes ETA në qytetin jugperëndimor francez Bordo. Grupi kishte kryer të hënën e kaluar sulmin me makinë bombë në Bilbao, kryeqytet ekonomik i rajonit bask në Spanjë. ETA akuzohet për vrasjen e 820 njerëzve në luftën e saj 40-vjeçare për pavarësinë e kombit bask.
Tadiç: “Marrëveshja për qeverinë brenda disa ditësh”
Marrëveshja për krijimin e qeverisë serbe pritet të arrihet brenda disa ditëve. Kështu është shprehur presidenti serb, Boris Tadiç duke shtuar se kushtetuta e Serbisë i ofron një periudhë kohore prej 90 ditësh për krijimin e qeverisë. Presidenti serb tha se pret që “qeveria do ketë orientim europian demokratik që do të mbrojë interesat kombëtare dhe parimet e drejtësisë sociale”. Partia e tij fitoi shumicën në zgjedhjet parlamentare, por nuk ka shumicën e nevojshme për të krijuar e vetme qeverinë.
Barak Obama: “Jam shumë pranë nominimit”
Barak Obama ka shprehur bindjen se është shumë pranë sigurimit të nominimit të Partisë Demokrate për President të Shteteve të Bashkuara. Obama i bëri këto komente pasi rezultatet zyrtare treguan se ai humbi nga senatorja Hilari Klinton në shtetin Kentaki, por fitoi me rezultat 58 ndaj 42 në shtetin veriperëndimor Oregon. Ai u shpreh se beson që ka fituar shumicën e delegatëve të cilët do ta ndihmojë që të jetë i zgjedhuri demokrat në konventën e gushtit.
Greqi, arrestohen 12 persona për materiale pedofile në Internet
Pas një hetimi gjashtëmujor, policia greke ka mundur të arrestojë 12 persona nën akuzën se kishin shkëmbyer materiale pedofile, duke shfaqur të mitur në një sajt brazilian, lajmërojnë agjencitë e lajmeve. Në mesin e të arrestuarve është edhe një oficer, një mësues, dy mjekë dhe një inxhinier, shumica e tyre të moshës prej 40 deri 50 vjet. Të arrestuarit mund të dënohen me pesë vjet burg nën akuzën se kanë shkëmbyer materiale me përmbajtje pedofile dhe sinjali erdhi nga autoritetet braziliane.
22 Maj 2008