E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish tragjedi në minierat e Bulqizës, një i vdekur dhe një i plagosur

Vdes aksidentalisht minatori Nevruz Gjoka. Plagosen Bardhyl Duriçi dhe kolegu i tij. Aksidenti ndodhi në mjediset e jashtme të minierës me pronar Gerhard Duriçi

BULQIZË – Çdo lajm që vjen nga Bulqiza të sjell ndërmend vetëm tragjedi nga galeritë e minierave të kromit. Në radhën e historive të njëpasnjëshme të vdekjeve aksidentale të minatorëve, është renditur edhe ngjarja e djeshme ku një punonjës gjeti vdekjen dhe një tjetër është plagosur rëndë dhe ndodhet me pak shpresa për jetën. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se një masiv dheu ka rrëshqitur në mjediset e jashtme të një miniere në Bulqizë, duke zënë poshtë disa punonjës. Tre minatorë, punonjës të firmës “Çeka” që ushtron aktivitet të licencuar në këtë zonë për nxjerrjen e kromit, kanë qenë duke punuar në zonën tek pusi Nr. 2, në mjediset e jashtme të galerisë kur janë ndodhur përballë aksidentit tragjik. Për pasojë, humbi jetën Nevruz Gjoka, 43 vjeç nga Bulqiza, dhe u plagos Bardhyl Duriçit, 30 vjeç, i cili ndodhet në rrezik për jetën në spital. Ndërsa kolegu i tyre ka marrë plagë të lehta.
Aksidenti
Numrin të lartë të aksidenteve tragjike, të ndodhura gjatë vitit të kaluar në minierat e Bulqizës, iu është bashkuar edhe një tjetër gjatë ditës së mërkurë, i cili ka patur një bilanc, me 1 të vdekur dhe 2 të plagosur. Zëdhënësi i policisë së qarkut të Dibrës, Aldo Puca, tha se "ngjarja e ndodhur të martën, rreth orës 14:30, solli vdekjen e 40-vjeçarit Novruz Gjoka dhe plagosjen e Bardhyl Duriçit, 30 vjeç". Sipas Pucës, dy personat punonin për një firmë private me pronar Gerhard Duriçin, e cila ishte e pajisur me leje për ushtrimin e aktivitetit në industrinë minerare. Aksidenti ndodhi në mjediset e jashtme të galerisë, duke shënuar rastin e parë me pasojë vdekje në mjediset e saj.
Mësohet se 30 vjeçari Duriçi ndodhet në spitalin rajonal të Bulqizës, në gjendje të rëndë për jetën. I lënduari i tretë ka marrë plagë të lehta, dhe pas ndihmës mjekësore, është rikthyer në shtëpinë e tij.
Aksidentet
Ky incident risjell në kujtesë dhjetëra aksidente të ndodhura në këtë zonë më pasojë humbjen e jetëve njerëzore. Për rreth 13 muaj kanë gjetur vdekjen të paktën 9 minatorë në aksidente të ndryshme që kanë ndodhur në thellësitë e nëntokës. Para pak javësh u plagosën disa punonjës në uzinën e Ferro-Kromit, që është marrë me koncesion nga një kompani ruso-austriake. Sindikata e minatorëve ka protestuar vazhdimisht gjatë gjithë vitit të kaluar për përmirësim të kushteve të punës dhe rritjen e pagave. Megjithë premtimet e dhëna dhe investimet e kryera, sërish situata mbetet problematike. Ndërkohë që presioni i ushtruar nga Ministria e Ekonomisë, Industrisë dhe Energjetikës ndaj subjekteve private në industrinë minerare, nuk ka ulur numrin e aksidenteve në punë. Drejtoria e Avari-Shpëtimit ka ushtruar kontrolle, por ende nuk janë ndëshkuar shkaktarët e tragjedive të njëpasnjëshme.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›