E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në flagrancë 20-vjeçari, po trafikonte 6 klandestinë drejt Greqisë



GJIROKASTËR – Një tjetër rast trafikimi klandestinësh ndalohet nga policia pas 24 orësh, i cili ka përfunduar me arrestimin e një 20 vjeçari. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se ditën e mërkurë, rreth orës 16:15, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër bënë arrestimi në flagrancë të shtetasit Zamir Adem Meta, lindur në Tepelenë dhe banues në Gorishovë të Fierit. Sipas zëdhënësit të policisë, Gentian Mullai, “arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 21:30, të datës 20.05.2008, nga ana e shërbimeve të policisë kufitare të Stacionit të Policisë së Kakavijës, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, u kapën afër vijës së kufirit, pranë fshatit Kakavijë, 6 klandestinë, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Pas punës së bërë me këta persona nga ana e agjentëve të policisë, u bë e mundur të provohej se njëri prej këtyre shtetasve dhe pikërisht shtetasi Zamir Meta, të ishte pjesë e një grupi të organizuar me fillesën e vet në qytetin e Fierit dhe itinerar përfundimtar në Janinë-Greqi. Burimet policore bëjnë të ditur se ky shtetas ishte duke iu dhënë ndihmë shtetasve të tjerë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt shumave 600-700 euro për çdo person”. Sipas tyre, “ky shtetas i priste klandestinët në Gjirokastër dhe pasi i strehonte në hotele të ndryshme, ditën e nesërme i kalonte nëpërmjet kufirit të gjelbër deri në Janinë, ku atje i prisnin persona të tjerë pjesëtar të këtij grupi të organizuar për ti çuar në destinacionet e tyre”. Mullai pohon se po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun klandestin. Ky është rasti i dytë brenda 48 orëve të fundit, që goditen grupe kriminale me aktivitet në trafikimin e qenieve njerëzore drejt shtetit grek kundrejt shumave te konsiderueshme nga 600-2500 Euro. Dy ditë më parë, shtetasi Andi Baduni, 18 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Gjirokastrës, u ndalua në aksin rrugor kombëtar Gjirokastër- Kakavijë, në afërsi të fshatit Sofratik, teksa po ndihmonte kalimin ilegal të 14 shtetasve nga rrethe të ndryshme të vendit, prej të cilëve do të përfitonte nga 1600 euro.

Investimet, 22 firma austriake të interesuar për Durrësin

DURRËS - Austria është shumë e interesuar për të investuar në Shqipëri, në sektorët e infrastrukturës dhe energjetikës. Një grup përfaqësuesish të firmave konsulente austriake janë njohur këto ditë me zhvillimet e zonës Tiranë-Durrës, si dhe me mundësinë e investimeve të reja. Drejtori i Zyrës Tregtare austriake në Tiranë, Ilir Vangjeli tha dje se vizita 2 ditore është organizuar në bashkëpunim me Shoqatën austriake të Konsulentëve me qendër në Vienë. Pas takimeve të zhvilluara dy ditë më parë në Tiranë, dje paradite përfaqësuesit e 22 firmave konsulente nga Austria, kanë vizituar fillimisht zonën e ish-kënetës në qytetin bregdetar. Ata janë njohur me zhvillimin e kësaj zone informale, ku që prej 5 vitesh shoqata “Co-Plan”, që mbështetet nga qeveria austriake ka realizuar një sërë projektesh që synojnë përshpejtimin e legalizimit dhe integrimit të banorëve në një territor prej 50 ha. Drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të kësaj shoqate, kanë folur për nevojën e investimeve në infrastrukturë në këtë hapësirë me rreth 35 mijë banorë të rinj. Më pas delegacioni austriak që drejtohet nga këshilltari tregtar për Shqipërinë në Vienë, Christian Miller ka vizituar portin detar të Durrësit. Konsulentët tregtarë austriakë treguan një interes të veçantë për zgjerimin dhe modernizimin e portit, si dhe përpunimin e konteinierëve dhe udhëtarëve me tragete.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›