E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja me Perëndimin, ofrohet rikthimi i arit në Shqipëri



Henry Kamm
Vdekja e Enver Hoxhës ngriti një dimension të ri të misterit dhe ankthit që Shqipëria paraqet ndaj fqinjëve të saj, Perëndimit dhe vendeve të kampit komunist në përgjithësi që prej Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, Shqipëria ka mbajtur brutalisht pozicion armiqësor në drejtim të botës së jashtme në dekadat e fundit, ajo ka një qëndrim konsekuent. Shteti i vogël malor i Ballkanit ka qenë tmerrësisht i izoluar, duke mos hezituar të hapë zjarr që nga vendi i tij apo kufijtë detarë ndaj të gjithë atyre kundërshtarëve imagjinarë apo realë që tentonin të hynin në territorin e tyre. Shqipëria ka qenë e dyshimtë ndaj të huajve dhe ka dhunuar minoritetet etnike, veçanërisht atë grek.
Por, nën udhëheqjen e zotit Hoxha, fqinjët e Shqipërisë, sigurisht, janë përballur me një shtet që është pa aleatë dhe miq, i pafuqishëm dhe i vetëm, si një vend i egër. Zoti Hoxha e bëri vendin e tij armik të Bashkimit Sovjetik dhe të Perëndimit, dhe që nga mesi i viteve ‘70 ai u armiqësua gjithashtu edhe mikun e tij të vetëm, Kinën.
Sovjetikët, larg Adriatikut
Nën drejtimin e tij ishte e sigurt se Moska nuk do të mund të fuste këmbën në detin Adriatik, një frikë që nuk i ndahej Jugosllavisë dhe që shkaktonte shqetësim te vendet anëtare të Aleancës që preken nga Adriatiku, si Greqia dhe Italia.
Gradualisht, zoti Hoxha e reduktoi këtë frikë si dhe eliminoi, si zakonisht, përmes ekzekutimeve, çdo person realisht të dyshuar apo agjent potencial të ndonjë fuqie të huaj apo rival potencial. Viktima e fundit ishte kryeministri Mehmet Shehu, njeriu i dytë më i fuqishëm në vend deri atëherë kur e vranë, – apo kreu vetëvrasje, - në vitin 1981.
Spastrimet mund të jenë bërë tërësisht të qëllimshme, pasi duhet të mënjanonin çdo rrezik të vazhdimësisë së politikës së jashtme të zotit Hoxha. Vëzhgues të Shqipërisë në radhët e grupeve të pakta ndërkombëtare të pranishme në Tiranë analizojnë se kush do të ketë mbështetjen më të madhe. Duke u informuar prej pak ambasadave në Tiranë dhe nga shqyrtimet e hollësishme të shtypit shqiptar, - duhet të besojmë se ka gjasa më së shumti që të ketë vazhdimësi nën sundimin kolegjial.
Alia, pasardhësi i pritshëm
Ramiz Alia mendohet të drejtojë një grup të njohur për besnikëri ndaj Enver Hoxhës dhe politikave të tij. Në vitet e fundit të sundimit të tij zoti Hoxha nisi që të tregojë se është për një proces të ngadalshëm, duke hequr besimin e shkuar të tij rreth Kinës, me zgjerimin e lidhjeve me Perëndimin. Këto kontakte ishin kryesisht ekonomike dhe shoqëroheshin nga një furi prononcimesh jodiplomatike kundër Perëndimit.
Të tilla fitore ishin inkurajuar qetësisht nga Jugosllavia, Greqia, Italia, Gjermania Perëndimore dhe Franca për arsye politike dhe ekonomike. Shtetet e Bashkuara nuk ia dolën mbanë, madje as në mënyrë indirekte, për të gjetur rastin e tyre që të përmirësojnë marrëdhëniet me gjithë ofertat e rastit.
Greqia ka hapur dy rrugë kufitare, por vlera e tyre mbetet simbolike për shkak se Shqipëria nuk i mirëpret të gjithë vizitorët dhe rrallëherë lejon shtetasit e saj të udhëtojnë jashtë vendit. Gjithashtu, Shqipëria ka përfunduar një lidhje hekurudhore drejt kufirit jugosllav, ndërsa Jugosllavia është duke punuar për lidhjen e saj, e cila do të jetë gati nga fundi i këtij viti.
Italia ka firmosur një marrëveshje për zgjerimin e tregtisë; shpreson të vendosë lidhje kulturore dhe ka krijuar një lidhje për transportin detar, e cila mbetet pa efekt për shkak të mungesës së trafikut. Diplomatët gjermano – perëndimorë dhe personalitete politike si Franz Josef Strauss, kryeministri i Bavarisë, kanë zhvilluar bisedime me zyrtarët shqiptarë që prej verës së kaluar.
Boni, gati të ofrojë kredi
Megjithëse Gjermania Perëndimore refuzoi kërkesat shqiptare për dëmshpërblimin e luftës, ajo është e gatshme të ofrojë kredi. Analistët perëndimorë shpresojnë se këto mundësi dhe lidhje përfituese me Perëndimin mund të joshin udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë të vazhdojnë në atë drejtim. Si karrem Perëndimi mund të vazhdojë negociatat gjithnjë e më aktivisht për kthimin e depozitave të arit të Shqipërisë, të cilat u morën nga Aleatët në Gjermani në vitin 1945. Vlera e tij arrin rreth 37 milionë dollarë. Ajo çfarë i frikëson analistët në këndvështrimin e tyre për periudhën post-Hoxha në Shqipëri është mundësia e zhvillimit të rivaliteteve të brendshme nën drejtimin e Ramiz Alisë dhe të tilla përplasje mund të rihapin një derë që Bashkimi Sovjetik do ta përdorë.
Historia e luftërave për pushtet e Shqipërisë e bën këtë një frikë reale.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 12 prill 1985
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: "Albania; the future" Përgatiti: Albert Gjoka Në numrin e ardhshëm do të lexoni: Përplasja mes Papandreut dhe qeverisë komuniste shqiptare për minoritetin
Henry Kamm, fitues i çmimit “Pulitzer” në gazetari, rrëfen për raportet Athinë-Tiranë në vitin 1986

Përplasja e parë e drejtpërdrejtë mes kryeministrit grek dhe krerëve të lartë shqiptarë

Konflikte edhe në politikën greke. Si reagoi përfaqësuesi i opozitës greke, Karolias Papuljas

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›