E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Berisha kërcënoi drejtësinë

Tiranë- Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka deklaruar se reforma e shumë folur në drejtësi është një deformim i reformës, që pasohet me kufizimin e lirisë. Në fjalën e sotme në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë, Leskaj në pjesën jashtë rendit të ditës është ndalur në raportin e fundit të TIA për vendin tonë, duke theksuar se kreu i vendit po mburret me një përparim të konstatuar nga raporti, por në fakt të dhënat nuk janë aspak pozitive.

“Berisha është kapur pas raportit të TIA-s. Por a mund të harrohen raportet e tjera, ata të FMN-së, USAID-it, Departamentit Amerikan të Shtetit, KLSH e të tjerë?. Nuk besoj se ai i konsideron këto institucione më pak të rëndësishme, por ai bën sikur i harron”- tha Leskaj.

Sipas saj, korrupsioni është ngritur në nivele të larta dhe problem serioz është kapja e shtetit. Ajo ka kujtuar se një vit më parë, Berisha e cilësoi TIA-n të pabesueshme. Njësoj si bëri me Kosta Trebickën.

Leskaj, duke iu referuar raportit ka theksuar se Shqipëria ka kaluar vendet e Kaukazit, ndërkohë që ne synojmë të krahasohemi me vendet e BE-së, ku synojmë anëtarësimin. “Ku jemi nisur të shkojmë, në Evropë, apo në Kaukaz?”- tha ajo.

Sipas saj, Berisha nuk kujton raportet e KLSH-së dhe ka arsye. “62-65% e tenderave janë me shkelje, po kush i bën tenderat? Ku është korrupsioni. Asnjë lekë nuk është arkëtuar për vitin 2007 nga tregtia e armëve. Vendi po shkon poshtë”- tha ajo.

Në fund u ndal në reformën për drejtësi, ku vetë Berisha ka deklaruar se reforma në drejtësi kërkon pakt të gjerë politik. “Pakti ynë ka kohë që rri në sirtar”- tha ajo, duke shtuar se kreu i qeverisë kërcënoi drejtësinë, prokurorët dhe gjyqtarët. Në emer te grupit socialist ajo ka falenderuar Senatin Amerikan per ratifikimin e protokollit te vendit tone per ne NATO, por ka shtuar se kjo kerkon me shume pergjegjesi per arritjen e standardeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›