E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, kampion në korrupsion

Tiranë- Një konferencë shtypi që do ta kishte pasur zili edhe Fidel Kastro. Kështu e ka quajtur kreu i PS-së, Edi Rama konferencën e mbajtur nga kryeministri Sali Berisha, në orët e vona të së dielës, ndërsa e ka akuzuar atë si gënjeshtar dhe arritjet e deklaruara me bujë, krejt të pavërteta.

“Kryeministri hyri direkt në shtëpitë e shqiptarëve me një konferencë shtypi që do ta kishte pasur zili edhe Fidel Kastro, qoftë për nga ora e zgjedhur, qoftë për nga kohëzgjatja e jashtëzakonshme dhe qoftë për nga thellësia e hendekut ndarës mes atyre që Sali Berisha tha dhe realitetit të keqqeverisjes së tij”- tha sot Rama.

Deklaratat e Berishës në arritjet kundër korrupsionit, në reforma për Ramën janë vetëm një përpjekje e dëshpëruar, si e një të mbyturi pas fijes së barit. Faktet dhe shifrat, sipas tij, janë të deformuara për të mbuluar me tym propagandistik faktet rrëqethëse të jetës së përditshme shqiptare, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Sali Berishën personalisht e me qeverinë e tij të kapur në rrjetën e interesave personale, klanore e klienteliste të kryeministrit e të ministrave të tij.

“Sali Berisha u tall mbrëmë me 104.625 punonjësit buxhetorë duke gënjyer për rritjen e rrogave të tyre pa llogaritur ato që pasi ua quan si rritje, ua merr drejtpërdrejtë me taksën e sheshtë, ua merr çdo ditë me më shumë tatim mbi vlerën e shtuar për çdo kg bukë, për çdo litër vaj, për çdo kilovat energji elektrike, për çdo litër naftë, ua merr me librat e fletoret e fëmijëve që deri dje i merrnin falas dhe me analizat e me ilaçet që spitalet e Sali Berishës e kanë për detyrë t'i ofrojnë falas, por që nuk gjenden dhe nuk bëhen dot falas në asnjë prej spitaleve të tij”- tha Rama.

Ai ka kujtuar se nëse para se “gënjeshtari i pandreqshëm” të hipte në pushtet, buxhetorët paguanin 6 mijë lekë tatim në muaj, tani paguajnë 42 mijë lekë në muaj!

Të njëjyin shembull kreu i selisë rozë ka dhënë edhe për 45 mijë arsimtarët, 12.000 mijë infermierë dhe 4.300 mjekët, duke argumentuar me fakte e shifra pse deklarata për rritje page është e gënjeshtërt.

“I kujtoj gënjeshtarit të pandreqshëm Sali Berisha se mësuesi apo mësuesja prind çon në shtëpi 320 mijë lekë, ndërkohë që familjes mesatare prej katër personash në Tiranë i duhen 840 mijë lekë vetëm për të shtyrë muajin dhe në pjesën tjetër të vendit 690 mijë lekë vetëm për të shtyrë muajin. Pra, dy rroga mësuesish nuk i dalin një familjeje normale për të jetuar pa borxhe e pa lista në Shqipërinë e Sali Berishës”- tha ai.

Sali Berisha, sipas Ramës u tall mbrëmë me të gjithë pensionistët e pensionistet e qytetit e të fshatit, duke gënjyer për rritjen epensioneve të tyre pa llogaritur shtrenjtimin e papërballueshëm për ta të energjisë elektrike, të ushqimeve bazë dhe të ilaçeve të parimbursueshme.

Ai theksoi se dy pensionistë në qytet marrin sot të dy bashkë 260 mijë lekë, ndërkohë që për të mbijetuar u duhen në Tiranë 400 mijë ndërsa në pjesën tjetër të vendit 340 mijë lekë në muaj. Pra, në Tiranë pensionisteve dhe pensionistëve, u mungojnë 140 mijë lekë për të kapur fundin e muajit, kurse në pjesën tjetër të vendit 80 mijë lekë për të kapur fundin e muajit pa borxhe, pa u shkruajtur në listat e dyqaneve të bukës e të ushqimeve dhe pa lënë mangut ilaçet e domosdoshme për shëndetin e tyre të brishtë.

Të gënjshtërta janë sipas Ramës edhe deklaratat e Berishës për taksa më të ulëta në botë. Aktualisht, tatimi mbi të ardhurat personale u rrit dy deri në tre herë, tatimin mbi transferimin e pasurisë së patundshme e ka rritur dy deri në tre herë, se akcizat i ka rritur mbi 50%, dhe se atë më shumë TVSH që ka mbledhur nga biznesi në fakt ua merr nga xhepi të gjithë shqiptarëve duke gjunjëzuar ekonominë e tyre të dobët familjare.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›