E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cërvenkovski: S’do të rikandidoj, jam kundër politikës së Gruevskit

Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski ka deklaruar se, nuk do të kandidojë për postin për herë dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale pas një viti, për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis presidentit dhe qeverisë. 

Gjatë një interviste dhënë të përditshmes "Dnevnik" në Shkup, Cërvenkovski tha se për marrjen e këtij vendimi nuk kishte ndikuar frika nga besueshmëria e madhe që gëzon VMRO-DPMNE-ja dhe qeveria e Nikolla Gruevskit apo humbja eventuale në zgjedhje. Ai tha pohuar se shkak i tërheqjes së tij, ishte "fakti se edhe në mandatin e ardhshëm, do të jetë e pamundur bashkëjetesa me këtë qeveri", pasi ai nuk pajtohet me politikën, e cila udhëhiqet nga qeveria Gruevski. "Nuk dua të jem bashkëpjesëmarrës dhe të ndaj përgjegjësinë për një politikë, e cila për momentin gëzon mbështetje të madhe," tha ai duke paralajmëruar se një politikë e tillë, do të kishte "pasoja të rënda dhe afatgjata për qytetarët dhe shtetin". Cërvenkovski, shtoi se do ta kryente të plotë mandatin aktual të presidentit që përfundon vitin e ardhshëm. Ai e mori postin e presidentit të Maqedonisë katër vjet më parë, pas vdekjes tragjike në një aksident ajror të pararendësit të tij, Boris Trajkovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›