E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 17-vjeçares, shtyhet pezullimi i mjekut

TIRANE - Dështon seanca për caktimin e masës shtrënguese "pezullim nga detyra", ndaj mjekut pogradecar Xhevair Hoxhallari. 

 Shkak u bë kërkesa e avokatit mbrojtës të tij për t'u njohur me raportin e ekspertizës mjeko-ligjore, që i është bërë trupit të pajetë të 17-vjeçares Matilda Petriti. Avokati pretendoi se nuk ishte njohur me këtë dokument, i cili është në fakt prova kryesore mbi të cilin Prokuroria ka mbështetur kërkesën për pezullimin e mjekut nga detyra. Pas kësaj, gjykata vendosi të shtynte seancën gjyqësore për paraditen e së hënës, ndërkohë i vuri në dispozicion të avokatit dokumentacionin e kërkuar. 17-vjeçarja Matilda Petriti, nga Maliqi i Korçës, vdiq rreth një muaj më parë në QSUT, pas disa operacioneve të njëpasnjëshme në fyt. Ajo i ishte nënshtruar një operacioni për heqjen e bajameve në klinikën private të Hoxhallarit në qytetin Pogradecit. Por, sipas hetimit të Prokurorisë, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale mjeku i kishte dëmtuar asaj një nga venat kryesore të furnizimit të kokës me gjak. Edhe pse iu nënshtrua disa operacioneve të tjera në Pogradec dhe QSUT, ajo humbi jetën si pasojë e hemorragjisë. Mjeku Hoxhallari është marrë nën përgjegjësi penale për mjekim të pakujdesshëm, akuzë, të cilën e mohon.                                                                                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›