E Diel, 1 Nëntor 2026

Cërvenkovski kërkon zgjedhje të parakohshme në Maqedoni

Nga Express më 18 shtator 2011 në ora 12:45

Lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM, Branko Cërvenkovski, nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve të shpejta të parakohshme në Maqedoni.

Ai këtë e deklaroi në një intervistë për radio Evropa e Lirë, duke nënvizuar se pritjet e partisë së tij janë se në Maqedoni do të pasojnë edhe një palë zgjedhje të parakohshme, për shkak të rritjes së pesimizmit.

“Kemi pesimizëm duke ndjekur se në cilin drejtim po shkon vendi. Pas zgjedhjeve të 5 qershorit, qeveria e vjetër e re me në krye Gruevskin nuk bëri asnjë korrektim apo ndryshim të qasjes së saj dhe po vijon me politikat e njëjta, ku situata po përkeqësohet, tendosjet politike po rriten dhe kriza politike është e pashmangshme dhe kuptohet se mënyra për shmangur këtë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Maqedonia është një shtet që çdo ditë po bëhet më pak i lirë dhe më pak demokratik, duke u larguar nga përcaktimet strategjike euro-atlantike”, deklaroi Cërvenkovski.

Sipas tij, opozita do të vazhdojë betejën e saj institucionale për të shfaqur kritikat ndaj kursit të gabuar të pushtetit aktual, mirëpo Cërvenkovski shtoi se në rast se pamundësohet demokracia në institucione, atëherë do të përdoret demokracia e rrugëve dhe ky do të jetë një veprim politik i opozitës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›