Kërkon Machu Picchun!

Një shpërblim të drejtë në këmbim të pronësisë së Machu Picchu, ka qenë kërkesa e Edgar Echegary Abril, një qytetar peruan 70 vjeçar, që deklarohet si pronari i ligjshëm i qendrës së famshme arkeologjike Inca.
Prej 7 vjetësh, Abril po çon përpara një proces gjyqësor kundër shtetit amerikano jugor, me qëllim që ti njihen të drejtat e pronësisë dhe të marrë një dëmshpërblim prej disa miliona euro, për shfrytëzimin e territorit nga qeveria.
70-vjeçari ka në dispozicion aktin e shitjes, të datuar 14 qershor 1910, që provon se si familja e tij bleu në këmbim të floririt tokën ku gjendet sot qendra arkeologjike.
Machu Picchu është një prej qendrave arkeologjike më të famshme në botë dhe vizitohet nga 90 për qind të turistëve që shkojnë në Peru.
Në vitin 1944, prindërit e Abril e shitën pronën familjes Zavaleta, por përjashtuan nga akti i shitjes zonën ku gjendet qendra arkeologjike, duke menduar se në të ardhmen do të shpronësohej nga shteti.
Gjithsesi konfiskimi i territorit nga shteti nuk u zyrtarizua kurrë dhe mbi të gjitha familja e 70 vjeçarit nuk mori asnjë dëmshpërblim.