E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kërkon shtyrjen e diskutimeve për Ligjin e Gj. së Lartë

Deputetët e opozitës kërkuan shtyrjen e diskutimeve për këtë ligj, duke e motivuar këtë me faktin se më 6 shtator nisin diskutimet për ndryshimet kushtetuese, ku përfshihen në veçanti çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Nënkryetari i komisionit, socialisti, Fatmir Xhafaj, u shpreh shtyrja duhet të bëhet për pak ditë."Meqë amendamentet tona kanë lidhje drejtpërsëdrejti me ligjin "Për Gjykatën e Lartë" mendoj që kjo të shtyhet pak në kohë sa të fillojë ky proces", u shpreh deputeti Xhafaj. Kërkesa e opozitës u kundërshtua nga kryetari i komisionit, demokrati Ilir Rusmajli, sipas të cilit Konferenca e Kryetarëve ka përcaktuar kalendarin për Këshillin e Legjislacionit dhe komisionin e Ligjeve për amendamentet kushtetuese.

"Konferenca përcaktoi shqyrtimin e pr/ligjit "Për Gjykatën e Lartë" në seancën plenare të ditës së enjte më datë 13 shtator, që do të thotë se jemi të detyruar t'i bindemi Konferencës dhe ky pr/ligj do të trajtohet ose të hënën ose të martën në komision. Ne duhet t'i përshtatemi kalendarit dhe nuk shoh asnjë motiv për ndryshimin e tij. Mendoj ta lëmë si e ka përcaktuar Konferenca", tha Rusmajli.

Pr/ligji "Për Gjykatën e Lartë", miratimi të cilit kërkon dhe votat e opozitës, është me rëndësi në agjendën parlamentare. Vonesat në miratimin e tij vështirësojnë ngritjen e Gjykatës Administrative. Nëse ligji do të miratohet këtë muaj, Ministria e Drejtësisë ka parashikuar që në janar të vitit të ardhshëm të nisë zyrtarisht punën Gjykata Administrative. /Start/

                                                                                             2012-09-04 11:34
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›