E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiorentina, ofertë 9.5 milionë euro

Palermo ka hezituar të bëjë ofertën përfundimtare te Torino për Blerim Xhemailin dhe kjo nxiti Fiorentinën që të provojë të "rrëmbejë" shqiptaro-maqedonasin me pasaportë zvicerane. Pas rënies së skuadrës në Serinë B, 23-vjeçari do të largohet për të luajtur në elitë. Lista e klubeve që janë të interesuara për shërbimet e tij është e gjatë, por tashmë duket se "violat" janë favoritët kryesorë. Kjo edhe për faktin se pas këmbënguljes së trajnerit Prandeli, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të paguajnë deri në 9.5 milionë euro. Transferimi te Fiorentina shihet me sy të mirë edhe nga Xhemaili, i cili në këtë mënyrë do të ketë shansin të luajë në kupat e Europës (Champions ose Europa League, në bazë të rezultatit kundër Sportingut). Në anën tjetër, Palermo ofron "vetëm" 4.5 milionë euro, një shifër që duket se nuk e kënaq presidentin e Torinos, Kairo: "Xhemailin e shes vetëm për një shifër të rëndësishme, ashtu si shita Rosinën".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›