Champions, Bajern e Arsenal në çerekfinale
Mbrëmja e djeshme ka zbuluar edhe dy çerekfinalistet e para të këtij edicioni në Champions League. Skuadrat të cilat do të vazhdojnë aventurën në aktivitetin më prestigjioz për klube janë Bajerni i Mynihut dhe Arsenali. Skuadra e Van Gal vuan deri në fund, humbet 3-2 në fushën e Fiorentinës, por kualifikohet falë dy golave në fushë kundërshtare (rezultati i përgjithshëm 4-4), ndërsa anglezët regjistrojnë një goleadë përballë Portos.
Seria e golave në sfidën Fiorentina-Bajern hapet nga vendasit në minutën e 28-të. Huan Manuel Vargas përfiton nga një largim i keq i portierit bavarez, Bat, pas “predhës” nga 30 metra të Markionit dhe nga pozicion i prirët me portën e dërgon topin në rrjetë. Fraksioni i dytë i lojës nis menjëherë vrullshëm. Skuadra e Prandelit dyfishon rezultatin në të 54-ën me Stevan Jovetiç, pas një pasimi të Xhilardinos që ndodhej në pozicion jashtë loje. Gjermanët nuk humbasin kohë dhe rikthehen në garë në minutën e 60-të me rrjetën e Mark van Bomel. Loja bëhet emocionuese dhe të dyja skuadrat luajnë mjaft të hapura. Në të 64-ën është Jovetiç që shënon golin e tretë për Fiorentinën dhe të dytin personal, pasi i ka rezistuar me fizik ndërhyrjes së Van Bujten. Kaq ka mjaftuar që të krijohet iluzioni se italianët e siguruan kualifikimin, por vetëm 60 sekonda më pas është Arjen Roben ai që përmbys situatën. Në të 65-ën holandezi realizon një gol të jashtëzakonshëm me të majtën, duke e dërguar topin në kryqëzimin e shtyllave. Rrjetë e cila u dhuron bavarezëve kualifikimin, falë dy golave të shënuar në fushën kundërshtare.
Kualifikimi në çerekfinale në “Emirates Stadium” ka qenë mjaft i lehtë për Arsenalin, pavarësisht se skuadrës angleze i mungonte kapiteni çesk Fabregas. Edhe pa yllin spanjoll, “topçinjtë” e Arsen Venger arritën të përmbysnin humbjen 2-1 të sfidës së parë me Porton. Vendasit zhbllokojnë shifrat kur kronometri tregonte vetëm 9 minuta lojë. Mbrojtësi i portugezëve, Horge Fuçile, i vjedh kohën Arshavinit dhe portierit të tij, Helton, pas një topi të gjatë të Nasrisë: sfera e larguar jo mirë shkon te Bendtner, që me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të shënojë. Porto tenton të reagojë, por skuadra e drejtuar nga Zhesualdo Ferreira duket e paqartë. Takimi mbyllet virtualisht në të 25-ën, kur një tjetër gafë e Fuçiles i dhuron Arsenalit golin e dytë. Uruguaiani nuk largon si duhet, Arshavin fiton topin dhe pasi driblon tri mbrojtës kundërshtarë në të majtë dhe pason për Bendtner, që e dërgon topin në rrjetë, sërish i vetëm me portën. Momenti më i mirë për shënim i Portos vjen në të 54-ën, ku Falkao godet fluturimthi një harkim të Rodriguez, por Almunia neutralizon në dy kohë. Në pjesën e dytë për Arsenalin realizojnë Nasri, Emanuel Eboue e sërish Bendtner, të cilët vulosin edhe kapitullimin e Portos me shifrat 5-0.
#