Champions League, përballen gjigandët Milan-Mancester
MILANO- Të martën luhet Milan-Mançester Junajtid, një prej sfidave më të rëndësishme të të tetave të finales së Champions League. Në “San Siro”, kuqezinjtë e Leonardos do të kërkojnë të fitojnë ndaj një skuadre që herën e fundit, më 2 maj 2007, e kanë mundur 3-0 me një ndeshje brilante. Që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Milanit i ka ikur Rikardo Kaka, ndërsa Mançesterit Kristiano Ronaldo. Megjithëse do të mungojnë Borrielo e Zambrota, trajneri Leonardo beson te forma e skuadrës së tij, duke kërkuar të njëjtën paraqitje si ndaj Realit të Madridit. “Mançesterin e njoh mirë, - ka thënë Leonardo në prag të këtij takimi. – Pati një moment të vështirë, por tani ka rigjetur formën e mirë. Ata janë një skuadër kompakte dhe tepër e rrezikshme në kundërsulm”, deklaroi trajneri brazilian. Ashtu si në ndeshjen me Udinezen, Milani do të luajë në sulm me dyshen Pato-Huntelar, që do të ndihmohen nga Ronaldinjo Kjo ndeshje do të jetë e veçantë për Devid Bekham që ndeshet për herë të parë kundër ish-skuadrës së tij në 7 vitet e fundit. “Ne jemi gati, ndaj Mançesterit do të jetë ndeshje shumë emocionuese për mua, pasi në këto 7 vjet që jam larguar nuk jam ndeshur kurrë kundër tyre. Do bëj gjithçka që Mançesteri të humbasë, por nëse shënoj, nuk festoj”, deklaroi futbollisti britanik i Milanit. Bekham u shpreh gjithashtu se Uejn Runi është futbollisti më i rrezikshëm i “Djajve të Kuq”, ndërsa Milani duhet të bëjë diferencën me mbajtjen e topit.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)