Champions League, të premten shorti për 1/8 e finales
NION- Të premten në orën 12 do të hidhet në Nion të Zvicrës shorti për fazën e të tetave të finales së Champions League. Në vazon e parë ndodhet skuadrat që janë kualifikuar të parat dhe ku të gjithë dëshirojnë të shmangin tre ekipet Angleze, çelsin, Mançesterin e Arsenalin. Veç tyre, në këtë vazo ndodhen edhe ekipe si Reali, Barcelona, Sevilja, Bordoja dhe Fiorentina. Në bazë të rregullave, në këtë fazë nuk mund të ndeshen skuadra nga i njëjti vend si edhe ato që kanë qenë bashkë në një grup. Në vazon e dytë, Milani, Interi dhe Bajerni i Mynihut janë tre skuadrat më të vështira. Gjithsesi, aty ndodhen edhe ekipe si Porto, Olimpiakos, CSKA e Moskës, Lioni apo Shtugarti. Milani i Leonardos mund të ndeshet vetëm me 6 ekipe të vazos së parë, përveç Fiorentinës dhe Realit të Madridit, ndërsa Interi nuk mund të shortohet vetëm me Barcelonën dhe sërish Fiorentinën. Sa i përket Bajernit të Mynihut, skuadra e vetme që ajo nuk mund të përballet është Bordoja e Loran Blank, me të cilën ishte në një grup. Rreziku më i madh duket për ekipet italiane, të cilat vuajnë gjithnjë përballë atyre angleze. Kjo është hera e fundit që për hedhjen e shortit ka kritere, pasi për çerekfinalet shorti është i lirë. Ndeshjet e para të të tetave të finales së Champions League do të zhvillohen më 16 dhe 17 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa ato të kthimit më 9 dhe 10 mars. Finalja e këtij edicioni do të luhet më 22 maj 2010 në Santiago Bernabeu të Madridit. Pas shortit të Ligës së Kampioneve, në orën 13 në Nion do të hidhet edhe shorti i Europa League, ku këtë vit ndodhen skuadra me shumë emër si Juventus, Liverpul, Marsejë apo Atletiko Madrid. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)