Rama: Protesta deri në lirinë e vërtetë të zgjedhjeve
ELBASAN- Duke e vënë theksin në atë që ai e quajti krizë të thellë ekonomike të vendit, kreu socialist Edi Rama mbajti fjalimin e tij përpara qytetarëve të Elbasanit që ju bashkuan protestës së radhës së opozitës për hapjen e kutive të votimit. Duke përmendur rritjen e cmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do te perballen qytetarët dhe bizneset gjate vitit 2010, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të cuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, që do të përmbyllet vetëm me largimin e kryeministrit Berisha në rast se kërkesa e tyre vazhdon të mohoet. “Sot me tha një dashamirës pse protestoni kur njerëzit duan të festojnë. Përgjigjja ime është: Ne protestojmë sepse njerëzit e kanë të pamundur të festojnë. Pensionistët e këtij vendi presim me drithërim janarin kur nën derë do të hyjë fatura e re e energjisë, ja pse protestojmë ne. Në vend që Krishtlindjet e viti i ri të sillnin më shumë siguri për të pasiguruarit, ata kanë marrë lajmin se do të paguajnë tek mjeku shumë më tepër , ja pse protestojmë ne. Biznesmenët presin me dyqanet bosh janarin që i fut në regjimin e TVSH-së , ja pse protestojmë ne” theksoi kryesocialisti. Ndërsa ripërsëriti thirrjen drejtuar kreut të qeverisë për të hapur kutitë e votimit, duke theksuar se në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e lirë e shqiptarëve por edhe dalja e vendit nga kriza, Rama tha se Berisha nuk do të mund te trembë opozitën me shpifje e kërcënime. “Nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në mes të Europës në vitin 2010, nuk mund ti tregosh opozitës darat e ligjit ti që je zhytur kokë e këmbë në korrupsion. Nuk e ka fajin opozita për miliona euro të varrosura në Kalimash, për viktimat e Gërdecit, nuk e ka fajin për minierat, fushat, lumenjtë, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta për të pushtuar gjithcka për përfitimet e disa njerëzve” u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm për vjedhjen e votave por për mohimin e të drejtës së popullit për të parë votën e tyre. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur se ka ndaluar hapjen e kutive të votimit ku mban peng të ardhmen e shqiptarëve.E drejta për të votuar lirisht e për të parë votën është e drejtë themelore të cilën do ta kërkojmë me forcë në cdo shesh deri në lirinë e vërtetë të zgjedhjeve, deri në largimin e Sali Berishës.” theksoi Rama. "Hap kutitë ose largohu", PS proteston në ElbasanPartia Socialiste vijon protestën e rradhës në qytetin e Elbasanit. Kjo është ndalesa e tretë në vazhën e protestave me moton “Hap kutitë ose largohu” që PS ka ndërmarrë këto ditë nëpër qytetet kryesore të vendit. Ndalesa e parë ishte qyteti i Durrësit, dhe më pas Berati. Protestat do të vazhdojnë deri në fundjavë për tu ndaluar më pas në Tiranë, dhe për të rifilluar sërish në janarin e 2010. Socialistët thonë se janë disa arsye madhore ato që i detyrojnë të zbresin në rrugë dhe akuzojnë si shkaktare qeverisjen e paaftë dhe të korruptuar të Berishës. Mosplotësimi i kushtit kryesor për hapjen e kutive ka bërë që opozita mos të ndryshojë qëndrim mbi bojkotin e kuvendit megjithë thirrjet e herëpashershme të ndërkombëtarëve. Lideri socialist Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj Berishes duke e akuzuar atë si shkaktarin kryesor të krizës që po pëson demokracia në vend, si shkaktar të krizës së rëndë ekonomike si dhe shkaktar për cënimin e rëndë të autonomisë së pushtetit vendor. (e.n/BalkanWeb)