Rrëzimi i pallatit, Prokuroria e Gjirokastrës apelon vendimin
Prokuroria e Gjirokastrës ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen penale ndaj 7 të akuzuarve për rrëzimin e një pallati 5-katësh, rreth një viti më parë në qytetin e Gjirokastrës, ku humbën jetën tre persona, mes të cilëve, një fëmijë dhe ngelën të pastrehë 14 familje. Organi i akuzës së qytetit ët gurtë nuk ka rënë dakort me venimin e dhënë nga gjykata duke apeluar këtë vendim në një shkallë më të lartë. Kështu vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 janari", trupi gjykues shpalli të pafajshëm 3 nga 7 të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë me argumentin "për mungesë provash" dhe dënoi gjithsej me 12.6 vjet burg e 1.5 milionë lekë gjobë 4 të akuzuarit e tjerë. Ndryshe nga pretenca e dhënë nga Prokuroria së Gjirokastrës ku kërkoi 38 vjet burg dhe 2.4 milionë gjobë, administratori i firmës "Arti" sh.p.k., Sotiraq Janora u dënua me 6 vjet burg, Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT së Bashkisë u dënua me 2.6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoriatin e Ndërtimit pranë Bashkisë u dënua me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, ndërsa Gjergji Meçi inxhinieri i firmës u dënua 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Trupi gjykues vendosi për 4 të pandehurit, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare. Nga hetimet është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine tjetër të re pranë tij. Kështu mosakordimi i pretecës me dhënimet e dhëna nga gjykata ka bërë që prokuroria ta apelojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë.