E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarë të BE

Ne të mediave mund të na duket si çudi, por është një pjesë e madhe e shoqërisë sonë që nuk preket fare nga ky vrer politik që rri pezull prej muajsh në atmosferën shqiptare. Kjo re e zezë e tejmbarsur me jone negative e vetëtima kërcënuese nuk është në kokën e të gjithëve dhe ky është një lajm i mirë. Pyeta një mikeshën time që është profesioniste e zonja në një kompani shërbimesh: A të prek ky negativitet kolektiv? Jo, më tha nxitimthi. Në fakt, fundjavat i kalon me familjen e shoqërinë në vendet më të bukura që ofron Shqipëria (udhëtimi i fundit në një atmosferë magjike andej nga Thethi). Nga Dhërmiu, në Vlorë, nga Dardha në Tropojë, nga Durrësi në Berat e Krujë, shumë bashkëqytetarë nuk ia kalojnë keq: ushqime të mira, shoqëri të gëzueshme, njerëz të shlodhur e me dëshirë për të shijuar impulset pozitive të natyrës sonë, tamam si të ishin në një vend në BE. Dhe nëse kalimthi shohin Ramën a Berishën duke u anatemuar nëpër ekrane, mbyllin televizorin për t’ju kushtuar një libri. Shtëpitë botuese kanë sjellë botime interesante këtë vit, si autorë shqiptarë ashtu dhe të huaj, ndaj në shtëpi, i vetmi “sherr” vjen për librat që janë në radhë e presin të lexohen. Por duke u menduar pak më gjatë mikesha ime u shpreh: “Nuk është se nuk e ndjej fare në të vërtetë”. “Po si e percepton për shembull? - u nxitova ta pyes. “Në kontaktet që kam me administratën publike. Shumë të dhëna që na duhen nga institucionet shtetërore, vonojnë dhe në 90 për qind të rasteve nuk na jepen, sepse të gjithë ngrenë supet dhe mendojnë se nuk e kanë për detyrë të ofrojnë informacionet që iu kërkohen. Ja, këtu unë e ndjej se politika më dëmton me personat e pakualifikuar që ka vënë në administratën shtetërore dhe më irriton papërgjegjshmëria e tyre”. “Po si ia bën me partnerët e huaj? A e kuptojnë ata këtë gjë? “Po sigurisht e kuptojnë dhe thonë që nuk është serioze dhe e pranueshme kjo, kur agjencitë simotra tonat, në vende të tjera të Ballkanit, të njëjtat të dhëna i sigurojnë përmes maileve me një lehtësi sikur të ishin në Danimarkë”. Mikesha ime është shumë punëtore dhe e përkushtuar në profesionin që bën, por për të bërë një shërbim të mirë duhet të punojë 4 fish më shumë se një koleg i saj në Bosnjë, Greqi, Maqedoni apo Serbi. Ky është një rrjet profesionistësh që shpesh punon me projekte të Komunitetit Evropian dhe dashje pa dashje, në mënyrë direkt dhe indirekte, vendi ynë bën figurë të keqe dhe në këtë drejtim. Politik-bërja e dobët ka peshën e madhe të saj në imazhin e krijuar, por secili prej nesh ka në dorë të tregojë se është një qytetar i denjë i Bashkimit Evropian. Edhe një mail korrekt e në kohën e duhur mjafton. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›