E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupa greke, katarsis me lakuriqësi e gjak

 

Shpresa DINE

Ndërsa i kanë thënë të gjitha në gjuhën klasike, artistët nga atdheu i tragjedisë kanë provuar të sjellin antikitetin më së shumti përmes gjuhës së trupit. Tragjedia “Elektra” e Euripidit u ngjit në skenën e Butrintit mbrëmjen e së hënës nga trupa greke “Politistiko Somateio Roes”, Athinë, me regji të Sofia Spyratou.
Një grup aktorësh profesionistë, ku bënin pjesë dhe tre shqiptarë, sollën kërcim, muzikë dhe aktrim, apo “Trininë e shenjtë”, siç e quan regjisorja. Për të, “Elektra” e Euripidit ka qenë më e dashur, krahasuar me Elektrën e Sofokliut. Duke iu referuar teorisë së katarsisit, i duhej një vrasëse dhe nxitëse krimi, ndërkohë që Elektra e Sofokliut është nguruese. Vepra është e mbushur me skena të forta, që kullojnë gjak, aktorë të zhveshur nudo, që përçojnë energji. Regjisorja ka ofruar për skenën e Butrintit një spektakël koreografik, ku fjala përkthehej në muzikë, plastikë dhe lëvizje trupore. Momenti i zhveshjes përbën dhe pikën kulmore të tragjedisë, për të cilin regjisorja Spyratou thotë se ia ka imponuar struktura e veprës. Ajo thotë se kështu njeriu vjen në jetë, i pafajshëm dhe lakuriq. “E kam lexuar Euripidin fjalë për fjalë dhe unë nuk i kam zhveshur aktorët për të tërhequr, por për të arritur tragjedinë”, është shprehur në konferencën për shtyp regjisorja greke, e cila me këtë vepër ka shënuar sukses në Greqi, ku e ka shfaqur këtë vepër 24 herë. Regjisorja, njëkohësisht dhe koreografe e veprës, tregon se mbi shfrytëzimin e elementëve teknikë të “trinisë” fjalë, muzikë dhe kërcim, ka punuar intensivisht për t’i realizuar këto elementë. Nuk ka protagonizëm në mes aktorëve dhe balerinëve në skenë, apo dallimit të muzikës. Regjisori ka treguar se ka bërë vetëm një modifikim me tekstin e lexuar dhe kërcyer të Euridipit. Nuk është Oresti që kryen krimin, por ka vendosur korin, gra të egra, që përfaqësojnë turmën.
“Këto janë gjithë kohës elementi nxitës që e ka çdo shoqëri”, thotë regjisorja. Orestin, balerinin shqiptar Danilo Zeka, e shoqëron hija e tij, e cila interpretohet nga një tjetër artist shqiptar, që sipas regjisores është alteregoja e tij. E ëma, Klitemnestra është anarshistja e kohës, që merr me vete zinë, vdekjen dhe mallkimin e fëmijëve. Një personazh që nuk ngurron të vrasë burrin e saj, a të zërë dashnorë, dhe të dëbojë fëmijët nga pallati. Elektra është e bija, personazhi që kërkon të dalë nga hija e saj, të afirmohet nga personaliteti i vështirë i së ëmës, gjë që e bën përmes vrasjes së kësaj të fundit. “Në fakt, vrasja e saj është vetvetja e saj. Ajo është nxitësja dhe dora që kryen krimin dhe nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese. Pas këtij akti ajo përpihet prej korit. Kjo ndjek logjikën e Aristotelit, se përmes frikës dhe logjikës të mallëngjejë publikun”, shpjegon regjisorja. “Filozofia e teatrit tonë është liria e spektatorit, për ta kuptuar shfaqjen si do ai. Nëse ka përputhje me atë çfarë unë dua të shpreh, është një gjë e mirë. Unë dua ta mallëngjej spektatorin”. Kjo justifikon fundin tronditës të veprës, ku Klitemnestra varet me kokë poshtë dhe gjaku rrjedh rrëke, si ndëshkim dhe pastrim njëkohësisht.
Pas “Elektrës” së Euripidit, vjen një tjetër tragjedi. Teatri “Dodona” dhe “Sythi teatër” i Kosovës janë ngjitur mbrëmë në skenën e Butrintit me veprën e Rasinit “Fedra”, nën regjinë e Fadil Hysaj. Kjo është e vetmja trupë shqipfolëse në këtë edicion të 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit. Kjo vepër dhe kjo “martesë” teatrosh ka ardhur posaçërisht për këtë festival.

shqiptarët
Tre balerinë shqiptarë kanë qenë pjesë e trupës greke, që ngjiti në skenën e Butrintit tragjedinë “Elektra”. Regjisorja Sofia Spiratu e ka vlerësuar shumë bashkëpunimin me artistët shqiptarë, që janë bërë pjesë e teatrit të saj dhe e jetës artistike në Athinë. Ata janë pjesa më interesante e trupës greke. Balerinët Danilo Zeka, në rolin e solistit të parë, Orestit, Aleksandër Qejvanaj dhe Taulant Ferraj, të tre të admiruar nga publiku, edhe pse askush nuk e dinte qysh më parë se ishin shqiptarë. Duke folur për ta, regjisorja Sofia Spiratu thotë se, “nuk është akt bamirësie, por dashurie, të bashkëpunoj me shqiptarët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›