E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një album me pasuritë e Artemisës

 

Zbulimet e rëndësishme të Tempullit të Artemisës në Durrës, janë përmbledhur në albumin fotografik “Artemisa e Durrësit”. Në të përfshihen disa nga rezultatet kryesore të misionit arkeologjik shqiptaro-francez në qytetin bregdetar, i cili luan rolin e një udhërrëfyesi, ku përfshihen në mënyrë sintetike figurinat prej balte të pjekur të zbuluara në kodrën e Dautes, të cilat identifikohen me figurën e hyjneshës së gjuetisë, Artemisa. Në të janë paraqitur dhe disa nga prerjet më të rëndësishme të 600 monedhave të zbuluara në të njëjtin sit arkeologjik, që i përkasin shekullit 4-3 para erës sonë. Albumi “Artemis-a’ Dyrrhachion” ka dalë fillimisht në gjuhën franceze, ndërsa po përgatiten dhe versionet shqip dhe anglisht. Për përgatitjen e tij ka punuar një ekip specialistësh, drejtuar nga prof. Tartari dhe prof. Artur Muller i universitetit të Lilës (Francë), ku dallon puna e fotografit Gilbert Naessens. Misioni arkeologjik shqiptaro-francez në Durrës ka nisur në vitin 2002.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›