E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Pirgu, hap sezonin në Santa Fe

 

Nga Parisi në Santa Fe. Në një tjetër skenë, një tjetër sukses, për të cilin shtypi shkruan çdo ditë. Pas realizmit të një vepre të vështirë, në krah të Placido Domingos, “Sirano De Barzherak” në skenën franceze, tenori Saimir Pirgu i është kthyer repertorit të tij. Me rolin e Alfredos, në një prej operave më të njohura të Giuseppe Verdit, “Traviata”, Pirgu ka hapur sezonin operistik të Teatrit në Santa Fe, në Nju Meksiko. Në kryerolin e kësaj vepre, pra, të Violetës, interpreton sopranoja franceze, Nathalie Dessay, për të cilën ishte hera e parë që interpretonte këtë rol. E duket se ka tërhequr menjëherë vëmendjen, kjo jo vetëm për shkak të interpretimit të saj, por edhe për hir të konceptit regjisorial, që e sillte veprën më në kohë. Shtuar këtu skenografinë, ku mungonin butaforitë klasike dhe veshjet plot kolorit të këngëtarëve lirikë. Kritika e ka thënë tashmë fjalën e saj. Çifti Dessay-Pirgu ishin “Yjet e Santa Fe-së”. “Tenori shqiptar, Saimir Pirgu, është vlerësuar për interpretimin e tij në rolin e Alfredos, që u shqua për ekspresivitet, lehtësi në interpretimin vokal dhe aktrim të gjallë, në disa skena të veçanta të operës”, shkruan një e përditshme. Për Mike Silverman i “Associated Press”, Pirgu ofroi një performancë të admirueshme me zërin e tij tërheqës, të fortë dhe konfidencial. Gjithashtu vlerëson dhe aktrimin e tij shprehës, sidomos në aktin e tretë, pasi ai ka poshtëruar publikisht Violetën. Kjo vepër do të vazhdojë të jetë në repertorin e teatrit të Santa Fe-së, deri në datën 29 gusht, ku pritet të ngjiten operat “Elisir D’amore” apo “Don Giovanni”. Roli i Alfredos është pjesë e repertorit të tenorit shqiptar, tashmë. E ka interpretuar në shumë skena të huaja, por debutimin e tij në këtë rol e ka pasur pikërisht në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, tre vjet më parë, në krah të sopranos Mariana Leka, në rolin e Violetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›