E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Beogradi po mendon njohjen e pavarësisë

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar dje se Beogradi ka filluar të mendojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.Deklarata e Thaçit nuk është e para e kësaj natyre, madje herët e tjera ai ka diskutuar edhe mbi njohjen e mundshme nga Rusia, që deri tani e ka kundërshtuar po aq fort sa Serbia shkëputjen e Kosovës prej saj. Por kësaj radhe, sipas kryeministrit, deklarata ka të bëjë me bisedime konkrete, por ende jo zyrtare me “liderë politikë të Beogradit”. Në një bisedë me gazetarë të mediave të Serbisë, të cilët kanë qenë këto ditë në Kosovë, Thaçi ka cituar se këtë konstatim e mbështet në disa biseda me liderët politikë të Beogradit, por nuk ka përmendur emra konkretë. “Mendoj se keni filluar t’i shihni shenjat e para të Beogradit. Nuk dëshiroj që me deklaratat e mia të prishë atë vullnet të Beogradit”, tha kryeministri Thaçi para gazetarëve të ardhur në Kosovë me një organizim të bërë nga misioni EULEX. Duke u shprehur për gjendjen në veri të Kosovës, kryeministri Thaçi tha se atje janë aktivë individët me qëndrime radikale, të cilët nuk kanë pasur sukses në realizimin e qëllimeve të tyre dhe të cilët, deri më tani, e kanë pasur mbështetjen e Beogradit. Duke u shprehur për akuzat ndaj shqiptarëve, që janë ngritur në Serbi dhe nëpërmjet Interpolit, ai tha se kjo politikë është për të ardhur keq. “Për Beogradin është më mirë që të merret me ardhmërinë evropiane të Serbisë se sa me akuzat, me të cilat qeshen të gjithë”, ka deklaruar Thaçi, citon “Evropa e Lirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›