Chelsea humb besimin
Ylli i Chelseas, Frank Lampard ka thënë se ekipi ka humbur të gjithë besimin në aftësitë e veta për fitore. Chelsea është hije e ekipit që fitoi Premierligën dhe FA Cup sezonin e kaluar dhe ka arritur vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit.
Kriza e cila përputhet me shkarkimin e asistentit të famshëm Ray Wilkins, ka dërguar ekipin në pozitën e pestë në tabelë, nëntë pikë prapa liderit Manchester United. Presioni ndaj Chelseas është aq i madh sa që e ardhmja e menaxherit Carlo Ancelotti është vënë në dyshim, diçka e pamenduar në fillim të sezonit kur ekipi fitoi nëntë prej 12 ndeshjeve të tyre të para dhe dukej në rrugë për të mbrojtur titullin.
Si një tjetër shenjë brengosëse për Ancelottin, Lampard tha se ndjenja në zhveshtoren e Chelseas është e ngjashme me ditët e fundit të aventurës në Stamford Bridge të ish menaxherit Luiz Felipe Scolari.
“Tani është një ndjenjë se nuk jemi të sigurt se çka do të ndodhë kur paraqitemi në fushë. Duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë këtë. Kështu është. Kjo nuk do të ndryshojë përkushtimin e askujt për të fituar, por është ndjenjë që ka ardhur pas asaj që nuk kemi fituar. Përfundimi i aventurës së Scolarit ishte i ngjashëm. Ju e humbni ndjenjën e të pasurit të aftësisë për të fituar çdo javë. Pasi ta keni dhe e humbni, është vështirë ta ktheni”, tha Lampard për tabloidin britanik The Sun.
“Ne duhet të punojmë në drejtim të njëjtë, të përcjellim menaxherin dhe të besojmë se do të ketë përmirësime. Nëse nuk besojmë, nuk do të ndodhë asgjë pozitive. Jemi në një periudhë të keqe. Nuk kemi nevojë ta fshehim. Ka qenë një kohë mjaft e gjatë”, shtoi ai.
Lampard ka refuzuar të fajësojë shkarkimin e Wilkinsit për krizën e Chelseas, duke thënë se ekipi ende ka kualitet për të luftuar me ekipet më të mira në Premierliga.
“Ne fituam dy titujt sezonin e kaluar, të gjithë ne të bashkuar, përfshirë Ray. Ray nuk është më këtu, por klubi i merr vendimet dhe nëse (pronari) Roman Abramovich nuk do të ishte këtu, ne nuk do të fitonim tre tituj në Premierligë. Gjërat jashtë fushës janë të rëndësishme, por ne kemi ekip që ka potencial të mposhtë ekipet nga të cilat jemi mundur. Ajo që nuk duhet të bëjmë është të përdorim atë që i ndodhi Rayt si arsyetim. Ne duhet të paraqitemi më mirë, pavarësisht asaj që ka ndodhur”, përfundoi ai.