S’ka ndryshime
Presidenti i Konfederatës së Futbollit të Azisë, Mohamed bin Hammam, ka përjashtuar mundësinë e lëvizjes së Kampionatit botëror 2022 në Katar nga vera në dimër si dhe ndarjen e ndeshjeve me shtetet e rajonit.
FIFA ka thënë se nevojitet një kërkesë nga Federata e Futbollit të Katarit për të bërë ndryshimet e përfolura, të cilat Bin Hammam ka insistuar se nuk do të ndodhin. Ai po ashtu mohoi mundësinë e zhvillimit të një “Kampionati botëror rajonal”, siç ishte sugjeruar më herët gjatë kësaj jave nga presidenti i UEFA-s, Michel Platini.
“Nuk jemi të interesuar. Katari mund të qëndrojë i vetëm dhe të organizohet i vetëm. Ne jemi shumë të lumtur dhe i premtojmë botës se do të organizojmë një Kampionat botëror të shkëlqyeshëm në qershor dhe korrik”, tha Hammam i cili është nga Katari.
Francezi Platini – i cili është edhe anëtar i Komitetit të FIFA-s – ka thënë se Botërori 2022 duhet të ndahet me shtetet e rajonit për shkak se Katari është vend i vogël, ndërsa presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka shprehur dëshirën e tij ta lëvizë garën në dimër për shkak se temperaturat e verës në Katar mund të mbërrijnë në 50 gradë Celsius.
Por, Bin Hammam, i cili ishte përmendur si pasardhës i Blatterit, tha se ata të dy e kanë gabim kur sugjerojnë ndryshime.
“Nuk jam i impresionuar nga këto mendime që sugjerojnë ndarjen e Botërorit me shtetet e rajonit si dhe ndryshimin nga korriku në janar. Është e nxituar. Janë mendime të njerëzve dhe ata janë duke e diskutuar këtë pa bazë dhe pa nevojë. Nuk varet nga një, dy ose tre anëtarë të FIFA-s të flasin për ndryshimin e kohës pa marr mendimin e shtetit nikoqir. E di se futbolli në Evropë ka një histori, tashmë është bërë një biznes, përfshirë financat, mediet, marketingun e shumë gjëra. Por, është e padrejtë për ata njerëz që bëhet fjalë të flasin për ndryshimin e kalendarit apo të kohës pa u këshilluar dhe pa biseduar për një marrëveshje të plotë”, theksoi ai.
Të enjten, selektori i Iranit, Afshin Ghotbi, tha se do të kishte qenë më mirë të rihapet gara e kandidaturës sesa që Katari ta ndajë Botërorin 2022 me shtetet e rajonit.
“Mendoj se nëse tani është duke u folur për ndarjen e Botërorit me shtete tjera, do të ishte e padrejtë për SHBA-në, Australinë dhe të gjitha shtetet që ishin kandidate. Mendimi im është se nëse dëshirojnë të marrim një vendim të tillë, ata duhet të kthehen te shtetet kandidate dhe të kërkojnë prej tyre të paraqesin edhe njëherë ofertat. Katari ka treguar se mund të jetë nikoqir, andaj duhet të organizohet atje në kohën e dimrit, që është ndryshim logjik, por është e padrejtë të flitet për ndërrimin e vendngjarjes”, tha Ghotbi.
Katari ka insistuar se territori i tij i vogël do të jetë një përparësi, pasi tifozët do ta kenë më lehtë të udhëtojnë për të përcjellë ndeshjet. FIFA përzgjodhi Katarin para kandidaturave rivale nga Australia, Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.