E Diel, 1 Nëntor 2026

Cherie Blair në Alsat: E njoh Shqipërinë nga Liri Berisha

Cherie Blair, bashkëshortja e ish kryeministrit britanik, Toni Blair në një intervistë ekskluzive me gazetaren Eni Vasili, ka rrëfyer për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve. Si fëmijëria e saj ka ndikuar në këtë përpjekje për të ndihmuar gratë kudo në botë të marrin në dorë fatin e jetës së tyre. Ajo ka folur për familjen, por edhe pse vendosi të mos vazhdojë karrierën e saj politike. Ajo flet për angazhimin e bashkëshortit të saj në cështjen e Kosovës, dhe vizitën e dytë që do të zhvillojnë atje në korrik. Lidhur me Shqipërinë Cherie Blair shpreson ta vizitojë atë.

• Intervista e plotë e Cherie Blair në Alsat

"unë njoh znj. Berisha, zonjën e parë të Shqipërisë, me të cilën jam takuar disa herë. Ne kemi ndarë me njëra-tjetrën interesin tonë të përbashkët për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe jemi takuar në aktivitete të ndryshme. Pra, do të thoja se di diçka për Shqipërinë dhe jam e sigurt se një ditë do ta vizitoj", rrëfen Cherie Blair, bashkëshortja e ish kryeministrit britanik Toni Blair.

Ajo rrëfen angazhimin e bashkëshortit të saj në cështjen e Kosovës dhe vizitën e dytë që do të zhvillojnë atje në korrik. "Shpresoj të shkoj në Kosovë me bashkëshortin tim në korrik, ku mendoj se ai do të nderohet për punën që ka bërë për ta ndihmuar Kosovën të bëhet një shtet i pavarur, gjë për të cilën jemi shumë krenarë", thotë Blair.

Duke folur për rezultatet e punës së saj për ti ardhur në ndihmë grave, zonja Blair thekson sa e rëndësishme është pavarësia e tyre ekonomike, për të gëzuar më shumë vëmendje dhe prestigj në shoqëri.

"90% e parave që investohen tek gratë, investohen për familjet e tyre. Ndërkohë, burrat investojnë vetëm 30 apo 40%. Unë shkova në Kenia dhe u takova me disa nga gratë që ne do të ndihmonim. Dhe ato më pyetën pse po e bëja këtë gjë. Pse po na ndihmon? Iu përgjigja se po e bëja pjesërisht sepse jam rritur në një familje ku babai im e kishte braktisur nënën time, ndaj e dija se gratë mund të jenë shumë të fuqishme. Pastaj i thashë se investimi tek gratë është një investim shumë i zgjuar, dhe i përmenda shifrën "90%", vijon zonja Blair.

Ndërsa ka hequr dorë nga ambiciet politike pyetjes se a do të kishte qenë Cherie Blair një kryeministre më e mirë se bashkëshorti i saj, ajo përgjigjet: "Unë mendoj se ai është një politikan më i zoti se unë, ndërsa unë jam një avokate më e zonja". Intervista e plotë e Cherie Blair për gazetaren Eni Vasili u transmetua të martën në mbrëmje në emisionin "Studio e Hapur".

Taulanta Boja Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 26 maj 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›