E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chievo-Catania, ndeshje e kurdisur ?

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) është duke analizuar dyshimet rreth kurdisjes së ndeshjes mes Chievos dhe Catanias, e cila përfundoi baras të dielën. E përditshmja italiane La Repubblica ka njoftuar të hënën se FIGC ka filluar hetimet, pasi 2.2 milionë euro janë vënë për rezultatin e barabartë të ndeshjes. 241.308 euro të tjera ishin vënë në rezultatin 1-1.

Ndërsa tabloidi anglez The Sun ka bërë të ditur se bastoret në Angli kanë suspenduar bastet për këtë ndeshje të enjten e kaluar, pas ngritjes së dyshimeve rreth vlerës së lartë të paguar për rezultatin e barabartë. Edhe bastoret në Itali thuhet se kanë marrë parashikime të shumta për barazim, vetëm dy ditë para takimit. David Williams nga bastorja Ladbrokes tha për The Sun:

“Shumë para janë vënë për barazim dhe kemi vendosur ta suspendojmë takimin”. Bastorja Betfair, po ashtu, ka thënë se rezultati ishte “përkrahur fuqishëm në barazim”.

Chievo kaloi në epërsi në minutën e 64-të, por dhjetë minuta më vonë Catania barazoi nga penalltia. Të dyja ekipet kanë shpresë të shpëtojnë në Serie A këtë sezon, pasi gjenden mbi zonën e rrezikuar. Kurdisjet nuk janë risi në futbollin italian. Gjiganti torinez Juventus ishte përjashtuar nga Serie A në vitin 2006 për shkak të përfshirjes në skandalin e quajtur Calciopoli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›