E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi magjik

Lionel Messi apo Diego Armando Maradona ? Ky është debati që bëhet tashmë disa vjet, por që ka shpërthyer ditëve të fundit, pas formës së shkëlqyeshme të sulmuesit të Barcelonës.

Ylli argjentinas Lionel Messi shënoi het-trikun e tij të dytë brenda tetë ditëve, derisa Barcelona mposhti Real Zaragozan 4-2, duke ndjekur Real Madridin në krye të tabelës në La Liga.

Messi, 22 vjeç, është duke treguar formë të shkëlqyeshme në prag të Kampionatit botëror. Ai ka realizuar tetë gola në tri ndeshjet e fundit. Futbollisti më i mirë në botë 2009 shënoi tri gola kundër Valencias para kësaj fundjave, ndërsa realizoi dy herë ndaj Stuttgartit në Ligën e Kampionëve.

“Për mua, Messi është më i mirë se Maradona. Unë luaj me të, e shoh çdo ditë dhe për mua ai është më i miri. Maradona ka qenë futbollisti më i mirë në histori, por Messi është më i mirë se ai. Ai është i ri, por tashmë ka fituar shumë tituj. Për mua ai është më i mirë”, tha sulmuesi i ri i Barcelonës, Pedro Rodriguez.

Messi e ngriti kuotën e shënimeve të tij në 34 gola të dielën, ndërsa presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e lavdëroi sulmuesin si “futbollisti më i mirë në histori të futbollit”.

“Së bashku me Cruyff dhe Maradona, ai është futbollisti më i mirë që ka luajtur në Barcelonë”, shtoi Laporta.

Trajneri Pep Guardiola ka thënë se e ka të vështirë të gjejë fjalë ta përshkruajë Messin, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme kundër Zaragozas. “Kanë filluar të më humbin fjalët”, tha Guardiola pas ndeshjes.

“Tashmë një kohë ai është duke luajtur shkëlqyeshëm. Ai gjithmonë dëshiron të luajë, nëse është finalja e Ligës së Kampionëve apo ndeshje kundër një ekipi nga liga e tretë. Ai është amator në këtë kuptim, gjithmonë dëshiron të luajë. Messi është vendimtar në çdo kuptim. Ai është në gjendje të bëjë gjithçka që dëshiron dhe kjo është e jashtëzakonshme kur kemi parasysh moshën e tij”, shtoi ai.

Homologu i tij nga Real Zaragozas, Jose Aurelio Gay pranoi se ekipi i tij u mposht nga loja e shkëlqyeshme e Messit, të cilin e krahasoi me Maradonën. “Kemi dështuar kundër një futbollisti fantastik. Messi e vendosi ndeshjen. Sot kam parë Maradonën në ditët e tij më të mira, por me shpejtësi më të madhe”, tha ai.

Messi ka shënuar 25 gola në La Liga këtë sezon dhe është në rrugë të mirë të fitojë Pichichin, si realizuesi më i mirë në ligë, ndërsa është kandidat për Këpucën e Artë të Evropës me një gol më pak të shënuar se sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›