Chountis në Shqipëri, takime me LSI dhe PDIU

Në ditën e dytë të qendrimit në Tiranë, Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ku diskutua mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve për integrimin evropian të Shqipërisë.
Meta nënvizoi se konfliktet e vazhdueshme artificiale që krijohen, nuk duhet të bëhen më pengesë në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda këtij viti. Në këtë drejtim, Meta theksoi edhe një herë, qëndrimin e LSI për heqjen pa vonesa të imunitetit te zyrtarëve të lartë, përmes procedurave parlamentare.
Raporteri i PE pati një bisedë edhe me përfaqësues të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Gjatë takimit te Eurodeputetit Chountis iu dorëzua edhe dosja e plotë me të gjithë shqiptarët e Çamërisë të kthyer në kufirin shqiptaro-grek, duke iu kërkuar që kjo çështje e shkeljes të së drejtave të njeriut të gjejë përfaqësim edhe në Parlamentin Evropian. Gjithashtu, iu paraqitën projektet e PDIU-së për zgjidhjen ligjore dhe diplomatike të çështjes çame, si një çështje legjitime e të drejtave të njeriut.
Eurodeptueti Chountis ndodhet në vendin tonë në kuadër të përgatitjes së një raporti për integrimin evropian, që do t`i paraprijë një rezolute, që PE-ja pritet të miratojë për Shqipërinë.