E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti, Chountis:Të vazhdojë bashkëpunimi për 12 prioritetet

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi një takim pune me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Nikolaos Chountis. Në qendër të takimit ishin çështjet që kishin të bënin me situatën politike në vend, ecurinë e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe zhvillimet në rajonin tonë.
 

Ministri Panariti e informoi Chountis mbi vizitën e tij në Bruksel, si dhe takimet me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe ato në Parlamentin Evropian. Pasi vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ministri Panariti vuri në dukje zhvillimet pozitive të kohëve të fundit në drejtim të plotësimit të 12 prioriteteve.
Eurodeputeti Chountis shprehu vlerësimin e tij për arritjet e deritanishme të Shqipërisë në drejtim të plotësimit të 12 Prioriteteve të

Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Më pas, ai nënvizoi rëndësinë që merr vazhdimi i klimës së bashkëpunimit midis forcave politike për të arritur plotësimin e masës kritike të rezultateve konkrete në reformat kryesore.
 

Zhvillimet në rajon ishin një tjetër çështje që u trajtua gjatë këtij takimi, ku u theksua roli aktiv dhe mjaft konstruktiv që luan Shqipëria për bashkëpunimin rajonal në dobi të paqes dhe të stabilitetit. Eurodeputeti Chountis vuri në dukje rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›