Christopher William Dell emërohet ambasador i ri i SHBA në Kosovë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka emëruar diplomatin Christopher William Dell, për ambasador në Republikën e Kosovës. Diplomati amerikan Christopher Dell, do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Ambasadori Dell është një diplomat i karrierës dhe një njeri i njohur me zhvillimet në Kosovë. Ai më parë ka qenë dy vjet në Kosovë si shef i misionit dhe ka punuar në Angolë, në Zimbabve dhe në Bullgari. Prej vitit 2007 ai ka shërbyer si zëvendës shef i misionit amerikan në Afganistan. Ambasadori Dell do të zëvendësojë ambasadoren e deritashme Tina Kaidanow. Ai ishte shef i Misionit në Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë vitit 2000-2001. Presidenti Obama ka emëruar edhe ambasadorët e rinj në Francë, Britani, Danimarkë dhe Islandë. Të gjitha këto emërime duhet të konfirmohen në Senatin e Shteteve të Bashkuara.