Chuntis, Bashës: Nuk ka asnjë pengesë për liberalizimin e vizave
Tashmë nuk ka asnjë pengesë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave. Kështu është shprehur raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, Nikolaos Chuntis, në një takim të veçantë me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Në këtë takim, ai u informua mbi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë së kufijve, lëshimin e dokumenteve të sigurta të identitetit, rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të strukturave ligjzbatuese të Shqipërisë me strukturat homologe të vendeve europiane, e posaçërisht me ato të vendeve fqinje. Në këtë kuadër, Basha njohu raporterin Chuntis edhe mbi marrëveshjet dhe protokollet e bashkëpunimit që Shqipëria ka nënshkruar me këto vende, e po ashtu mbi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit me organizmat ndërkombëtarë që asistojnë dhe bashkëpunojnë me policinë shqiptare. Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, Nikolaos Chuntis, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe siguroi për mbështetjen e tij në këtë proces. Chuntis theksoi se përderisa kriteret teknike janë përmbushur, vendet europiane duhet të shprehin besimin dhe të vlerësojnë progresin e Shqipërisë, e po ashtu të japin ndihmesën e tyre për integrimin e plotë të saj në Bashkimin Europian. Ai pati një takim edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku u njoh me sistemin “Inteligence Manager MEMEX”, që është një sistem database, nëpërmjet të cilit policia menaxhon informacionin kriminal, që grumbullohet prej të gjitha strukturave të saj. Më pas, zv/drejtori i Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, e njohu Chountis me përmirësimin e ndjeshëm që ka pësuar infrastruktura e Policisë Kufitare dhe Migracionit, si dhe vënien në funksion të plotë të sistemit TIMS.
#