E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët djegin flamurin grek në Tiranë dhe Shkodër

Reagon Dule: Ngjarjet në Athinë dhe Tiranë, të papranueshme. Idrizi i tregon “çamërinë” eurodeputetit grek

Thirrjet raciste të ushtarakëve grekë në paradën e 25 marsit vazhdojnë të nxisin reagime në Shqipëri. Protestës së 26 marsit dhe reagimit të autoriteteve të Tiranës dhe Athinës, dje u janë shtuar protesta të tjera, jo aq të matura sa e para, si dhe reagime politike.

Protestat

Me flamuj shqiptarë dhe këngë patriotike studentë të universiteteve të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës janë mbledhur dje në Tiranë, në sheshin pranë ambasadës greke për të protestuar në lidhje me thirrjet antishqiptare të një grupi ushtarakësh grekë gjatë paradës së 25 marsit në Athinë. Të rinjtë kanë protestuar me parulla të shkruara në anglisht, ku nuk kurseheshin edhe sharjet për Greqinë, madje, në fund të protestës paqësore, ata dogjën me benzinë një flamur të shtetit grek. Edhe në Shkodër, një grup studentësh të Universitetit “Luigj Gurakuqi” kanë organizuar një protestë për të njëjtin qëllim, me të njëjtat thirrje, madje edhe me të njëjtat gjeste antigreke, duke djegur edhe ata një flamur bardhë e blu.

Reagimet

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin etnik grek në Shqipëri, ka reaguar dje ndaj thirrjeve raciste të shfaqura fillimisht në Athinë e më pas në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Dule shfrytëzoi takimin me eurodeputetin grek, Nikolas Chountis, për të deklaruar se thirrjet në kor të forcave të armatosura greke janë të papranueshme, sikundër është i papranueshëm edhe reagimi i studentëve shqiptarë, që kanë djegur flamurin grek.

Një takim me eurodeputetin grek e pati dje edhe Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, që përfaqëson komunitetin çam. Idrizi shfrytëzoi këtë takim për t’i bërë të ditur politikanit grek, se çështja çame është në themel të programit të PDU-së dhe se në Shqipëri jetojnë sot 300 mijë anëtarë të këtij komuniteti që kërkojnë të drejtat e tyre. “Ne jemi një komunitet i shqiptarëve të çamërisë rreth 300 mijë vetë të krijuar në Shqipëri pas shpërnguljes me forcë nga trojet tona, në disa valë, e fundit e të cilave dhe më e rënda ishte në qershor të vitit 1944, kur vetëm në një javë u shpërngulen 30 mijë veta, u vranë 2500 veta dhe po aq të tjerë vdiqën nga lodhja, etja dhe uria rrugës për në Shqipëri, pas këtij spastrimi të pastër etnik”, i tha Idrizi eurodeputetit Chountis. Politikani grek u shpreh në këtë takim se “sikurse tregon edhe problemi politik në vend, mungesa e dialogut mund të sjellë vetëm probleme”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›