E Diel, 1 Nëntor 2026

Cigare kontrabandë drejt Anglisë, ndalohet shqiptari



ATHINË - Policia greke ka sekuestruar mbi 1 milion paketa dy ditë më parë në orët e mbrëmjes. Aksioni është zhvilluar në vendin e quajtur Sqimatari, 50 kilometra në veri të kryeqytetit grek, Athinë. Sipas policisë, katër personat u arrestuan në flagrancë, prej të cilëve tre janë grekë dhe një është emigrant shqiptar. Ky i fundit është punonjës i magazinës ku u gjetën cigaret, ndaj hetuesit thonë se ai do të përballet vetëm me akuzën e “mos kallëzimit të kontrabandës” dhe “fshehje të krimit ekonomik”. Atyre u është gjetur edhe një sasi prej 50 mijë eurosh si dhe u janë sekuestruar edhe dy kamionë që shërbenin për transportin e cigareve. Mësohet se cigaret kanë mbërritur në Greqi të ngarkuara në kontejnerë, që kanë udhëtuar në disa porte të Mesdheut pak ditë më parë. Në vazhdim, sasia e cigares kontrabandë po paketohej në kuti ullinjsh dhe më pas do të dërgoheshin në Britaninë e Madhe.

Në kërkim për vrasje, arrestohen dy të rinj

KAVAJË - Dy të rinj janë vënë në pranga nga policia, të akuzuar për vrasje dhe trafik armësh e municionesh. Lajmi jepet nga burimet policore, sipas të cilave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kryen ekzekutimin e urdhrit të ndalimit në ngarkim të Selman Ballashenit, 29 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë dhe Ardi Kanapari, 20 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim më datë 14 prill 2010, pasi ndaj tyre Prokuroria e Rrethit Kavajë, më datë 22 prill 2010, ka lëshuar urdhrat e ndalimit për veprat penale të "vrasjes me dashje" në bashkëpunim, "kallëzim të rremë" dhe "trafikimi i armëve dhe i municioneve", thanë gjatë ditës së djeshme burimet zyrtare të Policisë së Tiranës.

Dënohet shqiptari për trafik droge dhe pastrim parash

LONDËR - Një gjykatë britanike në Hendon të Britanisë së Madhe shpalli fajtor një shqiptar për trafik droge dhe pastrim të parave në vlerë rreth 10 milionë sterlina. Behar Dika ishte në krye të një bande prej 9 personash, të arrestuar në fillim të vitit, ndërsa tentonin të dërgonin në Britani, sasi të mëdha kokaine, nga Amerika Latine. Bashkë me 35-vjeçarin akuzohen tre indianë, si dhe shqiptarët Xhovan Gripshi, Fabiol Beqiri, Besnik Alla e Emiljan Shega. Dënimet për ta pritet të jepen të premten.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›