E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina bie në humnerë, humbin jetën dy maqedonas



ELBASAN - Një makinë që po udhëtonte nga Tirana drejt Korçës ka përfunduar në një humnerë rreth mesditës së djeshme, në vendin e quajtur Qafë-Kërrabë. Nga aksidenti i rëndë janë shënuar dy viktima dhe tre persona të plagosur rëndë. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë gjatë ditës së djeshme se aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 kur automjeti tip “Land Rover” me targa amerikane, me 5 persona pasagjerë, është rrëzuar rreth 30 metra në humnerë në Qafë-Kërrabë, pak kilometra larg Elbasanit. Për pasojë, dy persona kanë vdekur nga plagët e rënda, kurse tre të tjerë, të gjithë pjesëtarë të një familjeje maqedonase, janë transportuar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Mësohet se personat e përfshirë në aksident janë shtetas maqedonas. Bëhet fjalë për viktimat Vaso Stefanovski, 75 vjeç dhe Sasha Stefanovksi, 55 vjeç, babë e bir. Në aksident janë përfshirë edhe dy fëmijët e 55-vjeçarit, Maria Stefanoski, 13 vjeçe dhe Filip Stevanovski, 10 vjeç, të dy të plagosur. Një tjetër person që udhëtonte në makinën e aksidentuar ishte edhe Marjan Matovski, nipi i viktimës. Policia tha se u deshën dhjetëra efektivë dhe një ekip mjekësor për të nxjerrë jashtë trupat e pasagjerëve të bllokuar në makinën e shkatërruar. Policia është duke hetuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit të automjetit nga ana e drejtuesit për shkak të shpejtësisë, lagështirës në rrugë dhe mjegullës, gjë që mund ketë nxjerrë jashtë rruge makinën.

Varfëria shtyn në vetëvrasje babanë e tre fëmijëve
ELBASAN - Një person është vetëvrarë me armë zjarri paraditen e djeshme në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan. Burime nga policia bëjnë të ditur se Rustem Liçi, 52 vjeç është vetëvrarë me armë zjarri të tipit pushkë rreth orës 9:30. Mësohet se babai i tre fëmijëve është gjetur nga i biri, i cili ka sinjalizuar policinë për ngjarjen.
Varfëria dhe papunësia po sjell çdo ditë viktima. Rastin i tretë brenda dy ditëve është shënuar dje kur 52-vjeçari nga Elbasani, baba i tre fëmijëve, i dha fund jetës duke u vetëvrarë me një armë tip pushkë. 52-vjeçari është gjetur mëngjesin e djeshëm nga djali i tij, i cili ka njoftuar menjëherë policinë. Burime zyrtare të Policisë së Elbasanit pohuan se shtetasi Rustem Liçi, 52 vjeç, i cili është gjetur i vdekur në mëngjesi dhe ka kryer vetëvrasje. Konfirmimi për shkakun e krimit ka ardhur disa orë pasi policia u njoftua dhe nisi hetimet për ngjarjen, që në fillim u dyshua si një vrasje duke iu referuar edhe rrethanave në të cilat u gjet i vdekur 52-vjeçari në banesën e tij në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 09:30, kur 52-vjeçari qëlloi veten me armë zjarri. Sipas dëshmive të dhëna nga familjarët, 52-vjeçari jetonte në kushte të rënda ekonomike.

Trafikonin heroinë, dosja përfundon në gjykatë
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka çuar si të pandehur në gjyq katër persona të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan përfundimin e hetimeve në ngarkim të shtetasve: Fatos Gjura, Ermal Gjura, Oltion Gjura si dhe Feliks Rusto, të akuzuar për veprat penale të "trafikut të lëndëve narkotike, e mbetur në tentativë" dhe "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike". "Çështja penale ndaj tyre u regjistrua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila pritet të nisë së shpejti procesin gjyqësor", - thanë burimet. Shtetasit e lartpërmendur, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë përfshirë në një episod të trafikut të heroinës, zbuluar vitin e kaluar nga organet e rendit. Ata mendohet se janë autorë në tentativën për të trafikuar një sasi prej rreth 8 kilogramësh lëndë narkotike e llojit heroinë, e bllokuar në muajin maj të vitit 2009 në Librazhd në një operacion të Policisë së Shtetit. Sasia e drogës së bllokuar mendohet se ka hyrë nga Maqedonia dhe ishte destinuar për t'u trafikuar në Greqi. Gjatë këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda ka hapur disa procese gjyqësore kundër personave, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike.

Falsifikohen dokumentet e një toke, pranga kryeplakut
MIRDITË - Arrestohen dy persona për tjetërsimin e pronësisë së një sipërfaqeje toke prej 4300 metrash katrorë në fshatin Thirrë të Fanit të Mirditës. Operacioni i koduar “Autostrada” është finalizuar me arrestimin e kreut të fshatit, Preng Çupi dhe Nikoll Prengës. Sipas policisë, kreu i fshatit, Preng Çupi, në vitin 2007 ka falsifikuar një formular të akt-marrjes së tokës në pronësi të një shtetasi, duke i dhënë padrejtësisht këtij të fundit një sipërfaqe toke, një truall dhe një banesë, të cilat më pas Çupi ia ka shitur në vitin 1990 një personi tjetër. Gjithashtu mësohet se kjo sipërfaqe toke, bashkë me banesën e ndërtuar në të, janë shpronësuar në vlerën 6 milionë lekë të rinj nga ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës, dokumentet për të cilat janë nënshkruar nga Nikoll Prenga, gjithashtu i arrestuar nën akuzën e “falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim”. Sipas policisë, ndaj dy të arrestuarve Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›