Kreditë e këqija, klientët hasin vështirësi në pagesat e kësteve të interesave
Ervin KOÇI
Kreditë e këqija dhe ato me probleme nuk janë ulur, përkundrazi, niveli i tyre sa po vjen e po shtohet. Ndryshe nga pretendimet e Bankës së Shqipërisë, e cila kohët e fundit ka folur për një normalizim të këtij portofoli, Shoqata Shqiptare e Bankave ka sjellë të tjera shifra që flasin për një situatë alarmante. Sipas të dhënave të kësaj të fundit, produkti i kredive të këqija po rritet gjithmonë e më tepër dhe shkak për këtë është bërë mungesa e mundësisë së klientëve të bankave për t’i kthyer në kohë ato. “Problemet financiare me të cilat përballen bizneset dhe qytetarët janë shoqëruar me moskthim të kredive të marra prej tyre”,- tregojnë raportet e Shoqatës së Bankave. Nga të dhënat e fundit të Shoqatës, rezulton se në fund të muajit prill të këtij viti, 11.7 për qind e totalit të kredive të dhëna nuk janë kthyer. Vetëm gjatë 4 muajve të parë të 2010-ës niveli i tyre është rritur me rreth 1për qind, ndërsa kundrejt fillimit të vitit 2009, periudhë kur kriza globale filloi të ndjehej fuqishëm në vendin tonë, sasia e kredive të pakthyera u rrit me 4 .9 për qind. Por në asnjë moment BSH-ja nuk e ka pranuar rritjen e shpejtë të përqindjes së portofolit të kredisë me probleme, duke bërë herë pas here dhe deklarata qetësuese sipas të cilave, “sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar”, apo se “portofoli i kredive me probleme po shkon drejt normalizimit”. Deklarata të tilla mbajnë firmën e Guvernatorit të BSH-së, i cili dashur pa dashur është munduar që të mos krijojë panik në sistemin bankar nga njëra anë, por edhe të stimulojë bankat e nivelit të dytë që të vazhdojnë të kreditojnë ekonominë. Por të këtij mendimi nuk janë ekspertët e tjerë të këtij sektori, të cilët kanë thënë se “situata e kredive të këqija po kthehet në një problem serioz për sistemin bankar”.
Vështirësitë
Vështirësitë e bizneseve dhe qytetarëve në kthimin e kredive, ka qenë një ndër faktorët që bankat po tregohen të rezervuara në kreditimin e mëtejshëm të ekonomisë. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, “që prej fundit të vitit 2008, sistemi bankar vendas po zbaton politika shtrënguese në kreditim duke i zgjedhur me kujdes klientët”. Bankat po kreditojnë sektorët me më pak risk, si tregtia dhe shërbimet dhe për periudha të shkurtra kohe ndërkohë që po mbështesin më pak me financime individët. Bankat u përballën me vonesa masive në shlyerjen e kredive gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare dhe impaktit të saj në Shqipëri. Kreditë nënstandarde që njihen gjerësisht si “kredi të këqija”, u rritën nga 6.82 për qind e totalit të kredive në janar 2009, në 11.8 për qind në shkurt të këtij viti. Për pasojë, bankat filluan të rrisin interesat për kreditorët e rregullt për të kompensuar humbjet. Për shkak të interesave të larta të kredive në vendin tonë, rritja e kredive nënstandarde shkaktoi rënie të fitimeve të bankave, por jo humbje për to.
Klientët e këqij
Kreditë e këqija i përkasin veçanërisht klientëve të kategorisë së biznesit. Ato janë pjesërisht rezultat i garës së fortë mes bankave për të kapur tregun e kreditimit gjatë viteve 2004-2008, kur portofolat e tyre të kredive u rritën me 50-70 për qind në vit. Rritja e shpejtë e kredive, si dhe presioni mbi oficerët e kredive për të firmosur sa më shumë kontrata, duket se solli edhe gabime në këtë proces.
23 Qershor 2010