E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet për hakmarrje 48-vjeçari në Radhimë



VLORË - Një person është qëlluar me armë për vdekje gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme në Radhimë të Vlorës. Burime nga policia kanë bërë të ditur se dyshohet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje. Uniformat blu thanë dje se gjatë natës është qëlluar me armë zjarri shtetasi Hasko Sina, 48 vjeç. Trupi i tij u gjet në mëngjes në një rrugë jashtë zonave të banuara, në Radhimë. Nga këqyrja e trupit vihet re se plagët e marra kanë qenë vdekjeprurëse për Sinën, që ka gjetur menjëherë vdekjen në vendngjarje. Policia ka nisur hetimet dhe dyshon se vdekja e 48-vjeçarit ka lidhje me një vrasje në vitin 1997, ku dyshohet se autor ka qenë një person nga familja e tij. Autori i vrasjes së Sinës është identifikuar dhe pritet arrestimi i tij.
Hetimet
Një ngjarje e vjetër dyshohet të jetë shkaku, ndërsa hakmarrja është qëllimi i vrasjes së një 48-vjeçari në Radhimë të Vlorës. Hasko Sina u gjet i vrarë mëngjesin e së martës në një rrugë në zonën informale të Radhimës. Mbi trupin e 48-vjeçarit u gjetën shenja plumbash, ndërsa policia dyshon se vrasja është kryer të paktën një natë më parë. Ekspertët që mbërritën në vendin e ngjarjes kanë arritur në konkluzionin se Hasko Sina ka gjetur vdekjen e menjëhershme për pasojë të plagëve të marra nga arma e zjarrit. Të dhënat e para flasin për një vrasje për hakmarrje, pistë e cila konfirmohet edhe nga burime brenda grupit hetimor. Dyshohet se krimi ka lidhje me një ngjarje të rëndë të shënuar në vitin 1997. Por, policia nuk ka bërë të ditur detaje, duke mos specifikuar asnjë të dhënë për ngjarjen e vjetër. Ngjarja ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e policisë së Vlorës.
Policia
Me të marrë informacionin, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhjetëra forca policie dhe drejtues të lartë të uniformave blu të qytetit bregdetar. Falë punës operative mësohet se policia e Vlorës ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të vrasjes, për arrestimin e të cilit ka nisur një aksion i gjerë. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme i dyshuari nuk ishte vënë dot në pranga. Emri i autorit të dyshuar të vrasjes nuk është bërë i ditur për arsye hetimore nga ana e policisë. Ndërkaq, trupi i pajetë i 48-vjeçarit Sina është dërguar në morgun e Vlorës ku do t’i nënshtrohet autopsisë. Policia ka administruar provat në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur disa gëzhoja pistolete. Janë marrë dhe disa dëshmi të personave që mendohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Në polici janë shoqëruar dhe disa qytetarë, të cilët pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›