E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e PD-së lobojnë për draft-rezolutën e PE-së, sot pritet miratimi



Eljona Ballhysa
Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian nisi dje diskutimin e draft-rezolutës për ecurinë e procesit integrues të Shqipërisë, ndërsa vendosi që miratimi i saj të bëhet gjatë mbledhjes që do të mbahet sot. Të pranishëm dje në Strasburg kanë qenë ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe deputetë të tjerë të PD-së. Ata kanë zhvilluar një sërë takimesh me europarlamentarë dhe kanë diskutuar mbi përmbajtjen e draft-rezolutës. Deri në mesditën e djeshme në Komitetin e Jashtëm të PE-së u diskutua për mundësinë e shtyrjes për herë të dytë të draft-rezolutës në mënyrë që të shikohej dhe rezultati i vizitës së kreut të PPE-së në Tiranë, Zhozef Doul, përsa u përket përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike. Por më pas Komiteti i Jashtëm vendosi që draft-rezoluta e reporterit Nikolas Kauntis, që përmban rreth 114 amendamente, të miratohet gjatë mbledhjes së sotme. Eurodeputetja e djathtë, Doris Pak, është shprehur se “kjo rezolutë u shty një herë dhe ajo çfarë pret tani Parlamenti Europian nga qeveria është që të bashkëpunojë me opozitën për hartimin e një ligji të ri elektoral për zgjedhjet e ardhshme, pasi, - sipas saj, – të kaluarat shkuan tashmë”.
Por, ndryshe nga Partitë Popullore Europiane, liberalët, të gjelbrit dhe blloku i deputetëve pa grupim politik, u pozicionuan përkrah socialdemokratëve europianë. Fjala e raportuesit për Shqipërinë, Kauntis, i cili bëri thirrje për të votuar Rezolutën, ndryshoi në moment të fundit qëndrimin e të gjelbërve dhe ekstremistëve të majtë. Kjo mundi të sigurojë shumicën për të votuar Rezolutën mbi integrimin europian të Shqipërisë. Për marrjen e këtij vendimi mund të ketë ndikuar dhe lobimi i përfaqësuesve të maxhorancës shqiptare, të cilët takuan në mënyrë jozyrtare raportuesin për Shqipërinë Kauntis, si dhe eurodeputetët e grupimeve të ndryshme politike në ambientet e Parlamentit Europian. Kjo u konfirmua edhe nga eurodeputeti Ruçek. “Po, e takova zonjën Bregu dhe ajo më informoi mbi situatën aktuale në Parlament. Diskutuam sigurisht dhe mbi Rezolutën, sepse për Shqipërinë ishte shumë e rëndësishme kjo. I tregova se cilat ishin pozicionet e grupimeve të ndryshme politike dhe se gjatë pasdites do të vendosnim nëse do ta votonim ose jo këtë rezolutë ndoshta nesër. Sa herë ka një rezolute ndaj një vendi, gjithmonë përfaqësuesit e këtij vendi tentojnë të lobojnë tek eurodeputetët duke treguar pikëpamjet e tyre. Është një proces normal dhe Shqipëria po bën të njëjtën gjë”, - tha Libor Ruçek.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›