E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Cërrikut, Gjykata vendos të ballafaqojë Agon Kuliqin me Fatos Suvarinë



Laureta Rryçi
Procesi për masakrën e Cërrikut vijoi dje me dëshminë e ish-shefit të Komisariatit të Elbasanit, Fatos Suvaria. Në dëshminë e tij të gjatë dhe mes hollësive të kërkuara nga prokurori, Suvaria sqaroi pozicionin përballë tragjedisë, momentin e largimit nga detyra, zëvendësimin me Agon Kuliqin dhe ndihmën që ka dhënë për të vendosur rregull pas ngjarjes. Por dëshmia solli edhe disa pasaktësi, të cilat u përmendën nga Akuza në fund dhe një kërkesë për ballafaqim mes kolegësh. Dëshmitari konfirmoi para gjykatës se e ka marrë detyrën si shef i Komisariatit të Elbasanit më 15 mars 1997. Deri në këtë kohë ka qenë pranë Prefekturës me detyrën e shefit të zyrës së rendit të mbrojtjes dhe emergjencave. Detyrën si shef i komisariatit e ka mbajtur për dy muaj deri më datë 19 maj 1997, ditë kur iu komunikua zëvendësimi me Agron Kuliqin nëpërmjet një zarfi të dorëzuar në zyrë nga tre funksionarë të Ministrisë së Brendshme.
Dëshmia
“Mbaj mend që më datë 19 maj më erdhën në zyrë tre oficerë nga Ministria e Brendshme, mes tyre dhe Agron Kuliqi. Në zarf nuk shpjegohej arsyeja e largimit, por thuhej vetëm zëvendësimi im. Di që Kuliqi ishte i emëruar, jo i komanduar”, - tha Suvaria. Më tej dëshmitari shpjegoi se drejtoi Komisariatin e Elbasanit dhe në asnjë moment nuk ka hasur probleme. “Largimi im nga detyra nuk u prit mirë nga shtabi. Unë i mblodha ata dhe u thashë se duhej të largohesha në një tjetër detyrë, duke u kujtuar se duhej të punonin me kolegun tim për ta ndihmuar në një qytet që ai nuk e njihte. Gjendja në Elbasan ishte relativisht e mirë. Këtë e faktoi edhe ardhja e presidentit në stadium, që kaloi pa asnjë incident. Gjatë dy muajve të punës sime arrita që me anë të policisë të kontrolloja të gjitha makinat për armë”, - tha Suvaria. Por, ndërsa shpjegonte arritjet në punën e tij dymujore në krye të komisariatit, ai tha se largimi i tij nuk është pritur mirë nga një grup personash të panjohur, të cilët kanë vajtur të armatosur te prefekti. “Unë nuk e mendoja se situata do t’i dilte nga duart Kuliqit. Mësova se personat e armatosur kërkonin të largohej Kuliqi pasi nuk donin që qyteti i tyre të drejtohej nga veriorët”. Sipas Suvarisë, ky ishte edhe shkaku i acarimit. Por më pas ai tha se i ka vënë në dijeni eprorët se gjendja ishte në kontroll dhe se asgjë nuk do të ndodhte. “Për këtë gjë lajmërova edhe Belul Çelën, të cilit i thashë të mos kishte merak se Kuliqi e kishte situatën në dorë”.
Ikja nga Elbasani
Suvaria e dorëzoi punën më 19 maj, por ka qëndruar me Agron Kuliqin, shefin e ri të komisariatit, edhe në ditët në vazhdim. “Unë kam qenë me Kuliqin deri në orët e vona të datës 22 maj. Më datë 23, në mëngjes, i kërkova atij të më jepte shoferin, Ardian Shuku, për të ardhur në Tiranë te ministri i Brendshëm. U nisa herët në mëngjes. Mbaj mend se kur dola te komisariati vura re shumë forca të policisë të grumbulluara, që kishin ardhur nga Tirana. Nuk di që Ardian Shuku të jetë urdhëruar nga unë ose nga Agron Kuliqi për të shkuar si negociator në Cërrik. Unë ngjarjen e Cërrikut e kam mësuar te paradhoma e ministrit nga goja e tij. Ministri më tha se në Cërrik ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme dhe menjëherë më urdhëroi që së bashku me Nikolin Thanën të shkoja në komisariat e të ndihmoja për të vënë rregull. Di që Agron Kuliqi ishte plagosur dhe me helikopter e nisën drejt Tiranës”, - tha Suvaria. Por, ndërsa shpjegoi këtë moment, dëshmitari nuk mbante mend nëse ishte sulmuar Komisariati i Cërrikut. “Unë dua të them se rendi në Cërrik nuk ka pasur probleme. Dy muaj të qëndrimit tim në detyrë nuk hasën në vështirësi. Nuk mbaj mend të kem folur më 22 maj me Kuliqin për ndonjë sulm të Postës së Cërrikut”, - tha ai.
Kundërshtimi
Këtë deklarim të dëshmitarit e kundërshtoi pak më vonë prokurori. Sipas akuzës, Suvaria ka thënë se më 22 maj në mbrëmje ishte në zyrë së bashku me Agron Kuliqin kur mësuan se ishte sulmuar posta. “Më 22 maj në darkë mësova se ishte sulmuar Posta e Cërrikut. Mora vesh se kushërinjtë e Mandelës kishin sulmuar postën dhe marrë prej andej radiot e policisë. Armatimi ishte në vend. Nuk kishin marrë armatim. Nëpërmjet valëve të radios ata kërcënonin policinë e Elbasanit”. Kështu kishte deklaruar më parë dëshmitari. Ish-shefi i komisariatit shtoi dje se pas kthimit nga Tirana më 23 maj ka mësuar nga shefi i Krimeve, Arben Dashi dhe shefi i Rendit Noli, se në Cërrik janë vrarë gjashtë gardistë dhe plagosur disa të tjerë, mes tyre edhe Agron Kuliqi. Pas datës 23 maj 1997, Fatos Suvaria nuk ka vajtur më në Cërrik. Ai tha se nuk kishte fuqi për të dhënë urdhra, por ndodhej në komisariat vetëm për të ndihmuar Nikolin Thanën.

Dëshmitari njihte të pandehurit

Para gjykatës dëshmitari pranoi se njihte të pandehurin Met Bozi dhe Llazar Bicja. Me Bozin është njohur që në vitin 1995, ndërsa me Bicjen gjatë një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Cërrikut. “Unë mora urdhër për të shkuar në Cërrik me qëllim që të vija në funksionim bashkinë, pasi kishte kohë që nuk bëhej asnjë mbledhje. Disa prej anëtarëve nuk e donin kryetaren e Bashkisë. Aty jam prezantuar me Llazar Bicen, i cili fliste për të vendosur rregull dhe qetësi në qytetin e tij”, - tha Suvaria gjatë dëshmisë. Pyetjes së prokurorit nëse kishte dijeni si ish-shefi komisariati për postblloqe të ngritura në Cërrik, Fatos Suvaria iu përgjigj: “Në vitin 1997 në të gjithë qytetin e Elbasanit ishin ngritur postblloqe nga qytetarët, të cilët mbronin familjet e tyre nga grupet keqbërëse. Për Cërrikun nuk di të them se nuk kam qenë asnjëherë gjatë dy muajve të punës sime”. Në dëshminë e dhënë dje para gjykatës, Fatos Suvaria mohoi të ketë ditur se në Cërrik kishte persona problematikë. Por, më parë, sipas akuzës, e cila kundërshtoi disa pjesë të dëshmisë së tij, është shprehur: “Në Cërrik ka pasur disa persona problematikë. Unë di të them se Roland Xhepexhiu është njohur si problematik. Kishte një aktivitet në Gramsh, aty kishte dhe një të dashur. Bënte grabitje të shumta te qytetarët. Edhe Arjan Toska di që njihet si problematik”. Suvaria përmendi si problematik një grup të Elbasanit që përbëhej nga kushërinjtë e Mandelës. Sipas tij, këta kishin konflikte mes tyre dhe ishin strehuar në të dalë të Cërrikut te një lagje që quhej Lagjja e Çamëve.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›